Kosovë, shkon në 1.005 numri i të vdekurve nga COVID-19

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 1.505 mostra të dyshuara me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 16 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 1.005 numrin e të vdekurve nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), edhe 626 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 39.057.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1.505 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 142.769 mostra.

Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 673 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka shkuar në gjithsej 24.427 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.625.