Kosovë, pesë viktima dhe 1.765 raste të reja me COVID-19 brenda 24 orëve

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit pesë persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.291, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 1.765 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 118.752.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 9.581 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 824.413 teste.

Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 121 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 106.278 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 10.183.

Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 21.903 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 601.701 doza të vaksinës. Deri më sot 213.279 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.