Kosovë, mbahet koncert me rastin e Ditës Botërore të Romëve

Në qytetin Prizren në Kosovë me rastin e 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve, është mbajtur një koncert nga Shoqata Durmish Aslano, raporton Anadolu Agency (AA). Në koncertin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Prizren në bashkëpunim me Kryesinë e Delegacionit Përfaqësues Turk, i cili punon në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR),…

Në qytetin Prizren në Kosovë me rastin e 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve, është mbajtur një koncert nga Shoqata Durmish Aslano, raporton Anadolu Agency (AA).

Në koncertin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Prizren në bashkëpunim me Kryesinë e Delegacionit Përfaqësues Turk, i cili punon në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), morën pjesë zv/kryeministrja përgjegjëse për Pakicat dhe të Drejtat e Njeriut e Kosovës, Emilija Rexhepi, kreu i Shoqatës Durmish Aslano, Fatmir Menekshe, kreu i Delegacionit Përfaqësues Turk të KFOR-it, kolonel Fatih Cansız, deputeti Erxhan Galushi, drejtori i Institutit Yunus Emre (YEE) në Prishtinë, Mehmet Ülker, zv/konsulli i Turqisë në Prizren, İsmail Cenk Şen, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.

Koloneli Cansız në një fjalim në aktivitet tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e kulturës dhe historisë së përbashkët mbi 6 shekullore mes Turqisë dhe Kosovës nga periudha Osmane e deri më sot. Ai theksoi se do të vazhdojnë të japin mbështetje ndaj të gjithë komuniteteve në mënyrë që ato të jenë pjesë e jetës në Kosovës.

“Si kryesi e Delegacionit Përfaqësues Turk në Kosovë, ne vazhdojmë me kënaqësi çdo lloj bashkëpunimi me shoqatat tona të cilat e duan këtë vend, që duke u shqetësuar për problemet e tij ofrojnë zgjidhje e sugjerime si dhe që luftojnë për një Kosovë më të mirë”, tha Cansız.

Zv/kryeministrja Rexhepi në fjalën e saj foli për vizionin e Qeverisë së Kosovës, ku të gjitha komunitetet mund të integrohen në jetën sociale pa paragjykime.

“Të gjithë kemi të drejtën të arsimohemi dhe të përfaqësojmë identitetin tonë me dinjitet”, tha Rexhepi.

Ndërsa deputeti Galushi theksoi se romët me këngët e tyre kanë përcjellë dhimbjen dhe vështirësitë me të cilat kanë qenë të detyruar të përballen ndër shekuj.

Në koncertin që vazhdoi për rreth 2 orë qytetarët romë interpretuan këngë dhe zhvilluan kërcime unike të kulturës së tyre.