Kosovë, arrestohen 12 persona dhe konfiskohen qindra mijëra euro

Sipas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale si "keqpërdorim të subvencioneve, keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit"

Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot në territorin e Kosovës një aksion ku si rezultat kanë arrestuar 12 persona dhe kanë konfiskuar rreth 400 mijë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Prokurorinë e Shtetit, kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se për këtë aksion grumbullimi i informacioneve ka filluar nga muaji janar i këtij viti, ndërsa sot në orët e mëngjesit është kryer bastisja në disa lokacione me dyshimin e gjetjes së mjeteve financiare të përfituara nga vepra penale.

Kryeprokurori Lumezi tha se pas marrjes së urdhrit nga gjyqtari i procedurës paraprake për bastisje, janë sekuestruar para, vetura, kompjuterë, laptopë, telefona të cilat “do të na shërbejnë në procedura të mëvonshme penale për të pasur edhe një aktakuzë apo edhe një rast të suksesshëm”.

“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 janë zyrtarë dhe dy qytetarë tjerë të Republikës së Kosovës të cilët u kanë ndihmuar personave zyrtarë në forma të ndryshme. Të njëjtit dyshohen për disa vepra penale, për keqpërdorim të subvencioneve, për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare, për marrje dhe dhënie të ryshfetit”, theksoi ai.

Kryeprokurori kosovar shtoi se në bazë të provave të grumbulluara dhe informacioneve që posedojnë, ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhshme me qëllim që të sigurohen provat e fuqishme për t’i zhvilluar hetimet dhe për të pasur një aktakuzë të suksesshme.

Konfiskohen rreth 400 mijë euro nëpër shtëpitë e të dyshuarve

Ndërkaq, drejtor i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Nazmi Sahiti tha se bëhet fjalë për një shumë parash rreth 400 mijë euro, të cilat janë konfiskuar nëpër shtëpitë e të dyshuarve.

“Sot gjatë ditës janë konfiskuar një shumë e madhe e parave, diku 400 mijë euro, saktësisht nuk e dimë por shuma sillet rreth kësaj shifre. Bastisje ka pasur në Agjencinë e pavarur për Zhvillimin e Bujqësisë e cila është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë dhe në disa sektorë të saj në komunat e Istogut, Gjilanit, Lipjanit dhe Pejës”, theksoi Sahiti.

Sipas tij, këto para janë konfiskuar nga shtëpitë e të dyshuarve, ngase në bazë të informacioneve të Prokurorisë është vërtetuar se paratë janë marrë nga këta persona duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar.