Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 9 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke e çuar në 508 numrin e të vdekurve nga ky virus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), edhe 115 raste të reja janë diagnostikuar pozitive me koronavirus, derisa numri i tyre ka shkuar në 13.215.
Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 466 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 50.223 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 116 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 9.355 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.352.