Kosovë, 8 të vdekur dhe 2.279 raste të reja me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 8 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.315, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar shifër rekord që nga fillimi i pandemisë prej 2.279 rasteve të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 127.627.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 12.666 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 870.524 teste.

Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 325 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 107.025 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 18.287.

Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 22.486 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 687.553 doza të vaksinës. Deri më sot 234.731 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.