Kosova shënon 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Megjithëse Kosova deri më tani është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës, përfshirë Turqinë, njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të saj mbetet ende prioritet i diplomacisë kosovare

Janë bërë 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, shkruan Anadolu Agency (AA).

12 vjet pas pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me sfida të jashtme dhe të brendshme. Jashtë territorit të saj, Kosova vazhdon të përballet me Serbinë, liderët e së cilës ende e konsiderojnë atë si “territor të tyrin” dhe si vend ku ende kanë “trashëgimi”; si dhe me rrugën e saj në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe organizata të tjera evropiane.

Ndërkaq, brenda kufijve të saj, Kosova vazhdon të cilësohet nga mekanizma ndërkombëtarë ende si vend me korrupsion, varfëri, krim të organizuar dhe sistem të brishtë të arsimit dhe shëndetësisë.

Kosova do të shënojë përvjetorin e 12-të të pavarësisë me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Si erdhi deri te pavarësia e Kosovës?

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.

Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Turqinë, e njohën menjëherë. Sot, 116 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq, me bllokimin e Rusisë, e cila është mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është bërë anëtare e OKB-së.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, mundësia për çbllokimin e tij gjatë vitit 2020

Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.

Viti 2018 filloi me tensione kur lideri serb i nismës qytetare në Kosovë, “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq, më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, para zyrës së tij. Takimi i cili planifikohej në po atë datë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ishte anuluar me tërheqjen e palës serbe.

Ndërsa po në këtë vit, në nëntor, Kosova i vendosi tarifë prej 100 për qind produkteve të importuara me origjinë serbe si dhe atyre që vijnë nga Bosnjë e Hercegovina. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL, si rezultat i fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të saj.

BE, por edhe SHBA, e kundërshtuan nga fillimi një vendim të tillë nga Kosova dhe i bënë thirrje kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj që ta shfuqizojë tarifën 100 për qind, por Haradinaj nuk u zmbraps nga vendimi i tij, derisa dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Më 28 prill të vitit 2019, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq morën pjesë në Samitin e Berlinit në përpjekje për t’i dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, samiti nuk solli ndonjë rezultat për raportet midis Kosovës e Serbisë, gjë për të cilën presidenti kosovar Thaçi pas samitit tha se “u pajtuam për të mos u pajtuar”.

Më 1 korrik 2019 u planifikua një takim i njëjtë në Paris mes liderësh të Ballkanit Perëndimor, por që dështoi, si pasojë e përvojës së dështimit në Berlin.

Në tetor të vitit 2019, presidenti amerikan, Donald Trump, caktoi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për t’i udhëhequr përpjekjet e SHBA-së, për t’i ndihmuar dy vendeve në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Që nga caktimi i Grenell në këtë detyrë, ai ka kërkuar nga Kosova që ta heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe, ndërsa Serbisë i ka kërkuar ta ndalë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet paqja dhe vendet të ecin përpara ekonomikisht.

Me ardhjen në pushtet të kryeministrit të ri, Albin Kurti, është paralajmëruar zëvendësimi i tarifës 100 për qind me reciprocitet “ekonomik e politik” përballë Serbisë, gjë që është konsideruar si hap që dy shtetet fqinje të ulen përsëri në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, pas më shumë se një viti ndërprerje.

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Më 21 janar të vitit 2020, gati një muaj para se Kosova të shënojë 12-vjetorin e pavarësisë, një marrëveshje për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas, u nënshkrua nga pala kosovare dhe ajo serbe me aviokompaninë gjermane “Lufthansa” në Berlin.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë nga drejtori i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës, Eset Berisha, ndërsa të njëjtën e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.

Marrëveshja që u nënshkrua në prani të ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, njëherësh i dërguari special i presidentit amerikan Trump për dialogun Kosovë-Serbi, u prit mirë nga udhëheqësit kosovarë të institucioneve.

Presidenti Thaçi tha se “kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kjo linjë mund të jetësohet pas heqjes së tarifës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur synimet për hapjen e linjës ajrore në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duke e konsideruar “një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it vazhdon të jetë autoriteti i hapësirës ajrore në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. NATO-ja do të jetë e përfshirë në takimin për normalizimin e aviacionit në Ballkan, të cilin e udhëheqim”, është shprehur Stoltenberg.

Aktualisht, të gjitha fluturimet në Prishtinë kryhen vetëm nëpërmjet një korridori ajror që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, ndërsa hapja e korridoreve të reja do ta shkurtonte kohën e fluturimeve.

Mohimi i masakrës

Çështja e Kosovës vazhdon të shihet një nga pikat kyçe për stabilitet dhe paqe në rajon, por tensionet midis dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, janë ngritur shpesh kohën e fundit.

Gjatë vitit 2019, shumica e masakrave të kryera në Kosovë nga Serbia në kohën e luftës së vitit 1999 shënuan përvjetorin e 20-të. Ndërkaq, një nga ish-ministrat e Qeverisë së Kosovës nga komuniteti serb në Kosovë, Ivan Todosijevq, mohoi Masakrën e Reçakut të 15 janarit të vitit 1999, duke e quajtur trillim. Për këtë deklaratë të tijën, u ngrit aktakuzë dhe më pas Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor duke e dënuar me dy vjet burgim.

Vendimi ngjalli reagime edhe më të ashpra nga pala serbe, ku presidenti Vuçiq duke i dalë në mbrojtje pjesëtarit të Listës Serbe, tha se Masakra e Reçakut është krim i fabrikuar, duke akuzuar ish-shefin e misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, për falsifikim të saj.

Më 15 prill të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës votoi me shumicë votash për formimin e një komisioni të veçantë “i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t’i gjykojë krimet serbe në Kosovë”. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ishte shprehur se ideja e krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë “është në nderin dhe dinjitetin e Kosovës”.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e parë të tij vetëm disa minuta para se të merrte detyrën si kryeministër më 3 shkurt, siguroi se do të përgatisin padi kundër Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Do të jemi qeveri qe do të bëjë dënimin e krimeve të luftës”, ka thënë ai.

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila është e para që nuk bën bën pjesë në të ashtuquajturat partitë e “krahut të luftës”, përballet me shumë sfida, dhe një nga më të mëdhatë është ndërtimi i mëtutjeshëm i shtetësisë së Kosovës, forcimi i pavarësisë së Kosovës, plani i brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe dialogu me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve.

Në Kosovë, shtet me 1 milion e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Turqit, që më të dendur janë në Mamushë dhe Prizren, përbëjnë 1,1 për qind të popullatës.