“Kosova bëhet me Kodin Civil që garanton barazi gjinore”

Menaxheri i Projektit Kodi Civil, Alfonso Benjamin-Leniza, theksoi se Kodi Civil në Kosovë duhet të sjellë një qasje të re për familjen, të drejtën e pronës, barazinë në trashëgimi dhe të drejtat të tjera civile

Kodi Civil i Kosovës, i cili është në përpunim e sipër duhet të garantoj të drejta të barabarta për burrat dhe gratë në të gjitha aspektet e jetës, u tha në debatin mbi barazinë gjinore të cilin e organizoi Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me programin për Kodin Civil, raporton Anadolu Agency (AA).

Menaxheri i Projektit Kodi Civil, Alfonso Benjamin-Leniza, në fjalën e tij theksoi se Kodi Civil në Kosovë duhet të sjellë një qasje të re për familjen, të drejtën e pronës, barazinë në trashëgimi dhe të drejtat të tjera civile.

Profesor dr. Haxhi Gashi, ekspert kryesor i Programit të BE-së për Kodin Civil, në adresimin e tij theksoi se Kosova për herë të parë bëhet me një Kod Civil, i cili parim të vetin kryesor ka barazinë para ligjit.

Gashi sqaroi se ka pasur shumë ligje që janë marrë me të njëjtën gjë, megjithatë kanë pasur kontradikta të cilat do të eliminohen me Kodin Civil.

Si një shembull, ai mori Ligjin e Familjes, Ligjin e Pronës dhe Ligjin e Trashëgimisë të cilat duhet të sigurojnë barazinë midis burrave dhe grave në të gjitha rrethanat.

“Pikërisht nga këto arsye Kodi Civil duhet të harmonizojë çështjet të cilat nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Për shembull siç janë çështja e martesës, mbrojtja e fëmijëve, trashëgimia e pasurisë dhe kështu me radhë”, tha Gashi.

Jadranka Vojinoviq në cilësinë e ekspertes ligjore të Kodit Civil të BE-së, tha se për zbatimin efektiv të të drejtave të njeriut që janë të rregulluara me Kodin Civil, nevojitet që përgjegjësit për procesin e zbatimit të tij të jenë mirë të informuar.

“Korpusi i target-grupeve që duhet identifikuar dhe informuar me atë që rregullon Kodi Civil është shumë i gjerë, në mënyrë që të mos ndodhë moszbatimi i ligjeve në praktikë, për të cilën ne juristët themi se janë vetëm shkronja të shkruara, dhe në qoftë se ka zbatim të gabuar themi se ka sistem të keq ligjor dhe mungesë të sundimit të ligjit”, tha Vojinoviq.