Koronavirusi, Shkodra renditet e dyta në Shqipëri

Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave civile, në sajë të një hetimi të shpejtë epidemiologjik, janë identifikuar tre vatra të kuqe me COVID-19 ku janë prekur 43 persona, pjesëtarë kryesisht të dy familjeve dhe të afërm të tyre, të cilët banojnë në lagjet periferike, në Dobraç dhe Kiras.

Rritja e papritur e rasteve me COVID-19 në Shkodër ka vënë në alarm si strukturat vendore ashtu edhe ato qendrore, të cilat po kërkojnë shtimin e masave të shpejta dhe efikase për ndërprejen e zinxhirit të transmetimit të virusit dhe distancimin fizik të qytetarëve, sidomos nga vatrat ku është shfaqur COVID-19. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pas një bisede telefonike që zhvilloi një ditë më parë me prefektin dhe kryetaren e bashkisë, ishte sot në Shkodër për tu njohur nga afër me gjendjen dhe për të nxitur strukturat vendore për më shumë bashkëpunim në përpjekjet për mospërhapjen e mëtejshme të virusit.

Gjatë ditëve të para të prillit, numri i të prekurve në Shkodër u rrit disa herë, pas pjesëmarrjes së shumë qytetarëve në një ceremoni varrimi. Për pasojë, numri i të infektuarve arriti në 44, ndërsa një grua 80 vjeçare humbi jetën. Kjo e ka renditur Shkodrën në vendin e dytë, pas Tiranës, për nga numri i lartë i të prekurve nga COVID-19.

Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave civile, në sajë të një hetimi të shpejtë epidemiologjik, janë identifikuar tre vatra të kuqe me COVID-19 ku janë prekur 43 persona, pjesëtarë kryesisht të dy familjeve dhe të afërm të tyre, të cilët banojnë në lagjet periferike, në Dobraç dhe Kiras. Gjatë ditës së djeshme, janë dërguar në Tiranë edhe 15 mostra të tjera nga vatrat infeksonit, nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me COVID-19.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, përsëriti kërkesën për shtimin e numrit të testeve si masë, sipas saj, e efektshme për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit në qytet si dhe mbështejen e qeverisë për banorët e Shkodrës, transmeton VoA.

“Kërkoj që të rritet numri i testeve për qytetarët për të identifikuar dhe shkëputur zinxhirin e infeksionit në Shkodër. Po kaq emergjente është edhe mbështetja financiare dhe ushqimore, pasi qytetarët janë në vështirësi të sigurimit të bukës së përditëshme. Kam ofruar dhe ofroj edhe sot të gjithë bashkëpunimin për tejkalimin me sa më pak probleme të situatës së rëndë të pandemisë”, tha ajo.

Por, Silva Bino e Institutit të Shëndetit Publik tha sot për Zërin e Amerikës se strategjia e testimeve është e njëjtë për të gjithë vendin.

“Në Shkodër janë kryer rreth 200 testime dhe strategjia e ndjekjes ka qenë e njëjtë, si për të gjithë vendin. Por, dua të theksoj se çdo hetim epidemiologjik është i veçantë”, tha zonja Bino.

Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja, kërkoi masa të reja kontrolli në vendet ku u shërbehet qytetarëve, sidomos në banka, por edhe tregjet e lira, të cilat janë shndërruar në vatra të mundshme të përhapjes së infeksionit.