Koretë konfirmojnë mbajtjen e samitit

Të dyja Koretë dolën me deklarata pas vizitës të delegacionit të Seulit në Phenian

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka ripohuar gatishmërinë e tij lidhur me denuklearizimin, sipas deklaratave të Phenianit dhe Seulit të enjten, raporton Anadolu Agency (AA).

Koreja e Jugut gjithashtu konfirmoi dakordimin lidhur me datat për samitin e tretë ndër-korean të këtij viti. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të qëndrojë në Phenian në datat 18-20 shtator.

Zhvillimet erdhën pasi Kim u takua me përfaqësuesit e dërguar në Veri nga Moon një ditë më parë.

I dërguari i posaçëm, Chung Eui-yong, i cili udhëhoqi delegacionin, në një brifing televiziv, të transmetuar nga agjencia e lajmeve Yonhap tha se “Kryetari Kim Jong-un riafirmoi angazhimin e tij të vendosur për të përfunduar denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë jo vetëm me Korenë e Jugut, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë qëllim”.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kohët e fundit anuloi një udhëtim të planifikuar nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në Phenian, pas zhgënjimit të Washingtonit me Korenë e Veriut për mosmarrveshjet lidhur mbi hapat konkrete për heqjen dorë nga armët bërthamore.

Megjithatë, kreu i Koresë së Veriut vuri në dukje se ai tashmë ka shpërbërë vendin e vetëm të testimit bërthamor të shtetit të tij.

Ai gjithashtu i dërgoi një mesazh Washingtonit nëpërmjet emisarit të Seulit, i cili tha se “(Kryetari Kim) Ka shpresuar t’iu japë fund marrëdhënieve armiqësore 70 vjeçare midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së dhe denuklearizmi të nënkuptonte përmirësimin e marrëdhënieve Kore e Veriut-SHBA, brenda mandatit të parë të Trumpit”.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e Pheniat citon Kim të ketë deklaruar qëllimin e tij për përpjekjet e mëtejshme me Seulin “për të realizuar denuklearizimin e Gadishullit Korean”.

Mediat e Veriut gjithashtu theksuan rëndësinë e përmirësimit të lidhjeve ndër-koreane dhe theksuan vlerësimin personal të Kimit për një letër private të dorëzuar nga delegacioni i Moon.