Koreja e Veriut regjistron rastin e parë me COVID-19

Koreja e Veriut, e cila që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 ka pretenduar se në vend nuk është përhapur pandemia, ka regjistruar rastin e parë me virusin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) njoftohet se COVID-19 u zbulua në mostrat e gjakut të marrë nga të sëmurët në kryeqytetin Phenian të Koresë së Veriut.

Në lajm nuk ndahet informacioni se sa raste janë regjistruar, por thuhet se rastet i përkasin nën-variantit të Omicron të njohur si “BA.2”.

Pas përcaktimit të rasteve në vend u shpall “gjendje emergjente” dhe bëhet e ditur se në një mbledhje të mbajtur për diskutimin e situatës së pandemisë ku morën pjesë zyrtarë të nivelit të lartë përfshirë edhe liderin koreano-verior Kim Jong-un, u mor vendimi për zbatimin e sistemit maksimal për parandalimin emergjent të pandemisë.

Ndalesa për daljen në rrugë

Kim, pas takimit bëri thirrje për zbatimin e “orës policore” (ndalesës për daljen në rrugë) në të gjitha qytetet dhe komunat e vendit me qëllim parandalimin e pandemisë.

Duke vënë në dukje se do ta kapërcejnë pandeminë, Kim bëri thirrje që punonjësit e shëndetësisë të përshpejtojnë përpjekjet për dezinfektime në vendet e punës dhe shtëpi dhe të përdorin të gjithë pajisjet dhe produktet mjekësore kundër pandemisë.