Koreja e Veriut reagon ashpër ndaj sanksioneve kundër saj

Në deklaratën nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, theksohet se ajo mund të rikthehet në politikën e "përparimit të dyfishtë", nëse SHBA nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj mbi sanksionet

Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do të rikthejë sërish politikat shtetërore që synojnë forcimin e arsenalit bërthamor në rast se SHBA nuk heq sanksionet ndaj vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, theksohet se ajo mund të rikthehet në politikën e “përparimit të dyfishtë”, në të cilin fuqia bërthamore dhe zhvillimi ekonomik zhvillohen njëkohësisht, nëse SHBA nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj mbi sanksionet.

Në një deklaratë nga drejtuesi i Institutit të Studimeve Amerikane të Ministrisë është përdorur shprehja se “SHBA beson se sanksionet e përsëritura dhe presioni do të çojnë në çarmatimin bërthamor. Është e pamundur të mos qeshësh ndaj një ideje të tillë si kjo”.

– Marrëveshja mes Koreve

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takuan më 27 prill në fshatin e armëpushimit Panmunjom, i cili ndodhet në kufirin mes dy vendeve. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit ishte njoftuar se është arritur marrëveshje për fillimin e negociatave për pastrimin e plotë të Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe për shndërrimin e armëpushimit aktual në një marrëveshje të përhershme të paqes.

Moon dhe Kim pas samitit historik në muajin prill u takuan edhe më 26 maj, ku diskutuan për procesin e paqes mes shteteve të tyre. Ata ishin takuar edhe në muajin shtator në Phenian ku arritën marrëveshje për uljen e tensioneve.

Në takimin e zhvilluar në Phenian, Moon dhe Kim dhanë fjalën për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për paqe mes dy shteteve, ku publikuan edhe një deklaratë të përbashkët. Në deklaratë thuhej se nëse SHBA-të marrin hapat e nevojshme atëherë Koreja e Veriut do të ndërmarrë më shumë hapa për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.

Kujtojmë se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe Kim u takuan më 12 qershor në Singapor. Pas këtij samiti të dy liderët arritën në marrëveshje për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.