Koreja e Veriut dhe SHBA rifillojnë bisedimet bërthamore

Përfaqësuesi i Koresë së Veriut, Kim Myong Gil, pas takimeve të zhvilluara në mëngjes në pyetjen e gazetarëve nëse është apo jo i kënaqur nga bisedimet dha përgjigjen “të shohim”.

0

Në Suedi kanë rifilluar bisedimet bërthamore në nivel pune mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, në një deklaratë nga llogaria e saj në median sociale ka thënë se “Unë jam e kënaqur që delegacioni zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Demokratike Popullore të Koresë së Veriut ndodhen në Suedi për bisedime. Dialogu është i nevojshëm për të gjetur një zgjidhje paqësore për çarmatimin bërthamor”.

Sipas lajmeve në median suedeze bisedimet bërthamore kanë filluar nën masa të larta sigurie në rezidencën Villa Elfvik Strand në lagjen Lidingö të kryeqytetit suedez Stockholm mes diplomatit Kim Myong Gil që merr pjesë në bisedime në emër të Koresë së Veriut dhe përfaqësuesit special të SHBA-ve për Korenë e Veriut, Stephen Biegun.

Përfaqësuesi i Koresë së Veriut, Kim Myong Gil, pas takimeve të zhvilluara në mëngjes në pyetjen e gazetarëve nëse është apo jo i kënaqur nga bisedimet dha përgjigjen “të shohim”.

Pritet që bisedimet të fokusohen në mënyrën se si të përparohet mbi dakordësimin e parë që arritën presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreanoverior Kim Jong-un në Singapor.

– Nga samiti Trump-Kim Jong-un nuk u arrit rezultat

Presidenti amerikan Trump dhe lideri koreanoverior Kim Jong-un për herë të parë u takuan më 12 qershor 2018 në samitin historik në Singapor dhe arritën një dakordësim për çmilitarizimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe paqen e përhershme.

Dy liderët u takuan edhe një herë në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, më 26-27 shkurt 2019 por samiti përfundoi në mënyrë të shpejtë dhe pa marrëveshje.

Lidhur me takimin me Kim, presidenti Trump tha se “Ata kërkuan heqjen e plotë të sanksioneve. Ndërsa ne nuk kishim qëllimin për të bërë këtë. Për këtë arsye nuk mundëm të arrinim një dakordësim”.

Pas samitit të dytë në Vietnam bisedimet arritën në pikën e ndaljes.

Dy liderët së fundmi u takuan më 30 qershor 2019 në zonën e demilitarizuar ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, ku dhe vendosën të vazhdojnë procesin e bisedimeve bërthamore.

Lajme të ngjashme

Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.