Kontrolli teknik i automjeteve, Konkurenca nis hetim per “SGS Automotive Albania”

Tregu i shërbimit të  kontrollit teknik do të jetë pjesë e një hetimi paraprak të hapur nga Autoriteti i Konkurrencës në muajin shkurt. Periudha që do të kalojë në “sitë” është nga 1 qershori 2016 deri në 31 dhjetor 2017  dhe raporti duhet që të dorëzohet brenda tre muajsh nga çelja e hetimit që me gjasa do të jetë muaji maj I këtij viti.

Në argumentin e çeljes së këtij hetimi Konkurrenca nënvizon sjellja e koncesionarit “SGS Automotive Albania” SHPK mund të përbëjë kufizim të konkurrencës bazuar në nenin 9, pika 2, germa ç) të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar).

Kjo nuk është hera e parë që tregu I shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Një nismë e ngjashme u bë edhe në vitin 2016 por që në fokus ishte rishikimi i tarifave dhe hapja e tregut të kontrollit teknik që qysh nga viti 2009 është pjesë e një koncesioni dhënë kompanisë SOCIETE GENERALE DE SURVEILLANCE S.A.

Pikërisht në këtë vendim Konkurrenca do të vlerësonte se rishikimi i tarifave të shërbimit rezultonte me rritje. “Rishikimi i tarifave është realizuar në 6 shtator 2010, kur kanë ndryshuar tarifat që aplikoheshin para konçesionit dhe në 6 shtator 2013, me një rritje mesatare 9.38%. Nga ndërmarrja “SGS Automotive sh.p.k.” nuk janë paraqitur arsyet dhe analiza ekonomike e rritjes së tarifave edhe pse u kërkua nga Autoriteti i Konkurrencës. Ndryshimi i pritshëm i tarifave i përket shtatorit të vitit 2016, për të cilën Autoriteti i Konkurrencës do të kërkojë bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës përpara miratimit të tarifave të propozuara nga ndërmarrja koncensionare” thuhet në vendimin e 2016 të Autoritetit të Konkurrencës.

Në atë kohë u kërkua gjithashtu që Ministria përgjegjëse për Transportin të shihte që pas përfundimit të periudhës koncesionare të shihej mundësia e hapjes së tregut për operatorë të rinj.

“Ministria e Transportit dhe e Infrastruktures duhet te marre masa për hapjen e këtij tregu për konkurrence, sipas praktikave dhe standarteve me te mira ndërkombëtare pas përfundimit te periudhës koncesionare” thuhet në vendimin e AK.

Por që nga ky vendim pati një seri deklaratash nga ministrat që kanë mbajtur pozicionin e kreut të Transporteve për liberalizim të shërbimit por ende pa ndonjë zhvillim konkret për aq kohë sa konceisoni pritet të përfundojë kohëzgjatjen e tij 10 vjeçare në vitin e ardhshëm.