“Konsullata saudite do të ekzaminohet për rastin Khashoggi”

"Autoritetet saudite kanë njoftuar se janë të hapur për bashkëpunim dhe se mund të bëhet ekzaminim në ndërtesën e konsullatës", deklaroi Aksoy

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, në lidhje me çështjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili është zhdukur pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë në Stamboll tha se “në kuadër të hetimeve, do të bëhet ekzaminim në ndërtesën e konsullatës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aksoy dha një përgjigje me shkrim në lidhje me pyetjen për gjendjen e gazetarit Jamal Khashoggi, shtetas i Arabisë Saudite.

Me këtë rast ai bëri të ditur se zhvillimet në lidhje me fatin e Khashoggi-t që nga dita e parë që ka ndodhur ngjarja, ndiqen nga afër nga njësitë gjyqësore, të policisë dhe inteligjencës.

“Hetimet të cilat kanë filluar nga autoritetet tona me qëllim të zbulimit të fatit të të lartpërmendurit vazhdojnë në mënyrë intensive”, tha ai.

“Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullare, ndërtesat e konsullatave kanë imunitet (paprekshmëri), por me pëlqimin e shefit të misionit diplomatik autoritetet e shtetit nikoqir mund të bëjnë ekzaminime në ndërtesën e konsullatës. Autoritetet saudite kanë njoftuar se janë të hapur për bashkëpunim dhe se mund të bëhet ekzaminim në ndërtesën e konsullatës. Në kuadër të hetimeve, do të bëhet ekzaminim në ndërtesën e konsullatës”, deklaroi Aksoy.

– Arabia Saudite fton ekspertët turk të vizitojnë Konsullatën

Arabia Saudite ka ftuar ekspertët dhe autoritetet përkatëse turke që të vizitojnë konsullatën e saj në Stamboll.

Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike në notën që autoritetet saudite kanë dërguar deri tek Ministria e Brendshme e Turqisë mësohet se ekspertët dhe autoritetet përkatëse turke janë ftuar që të vizitojnë konsullatën saudite në Stamboll.

“Mbretëria e Arabisë Saudite, i përcjell respektet Republikës vëllazërore të Turqisë. Nga rëndësia për të mësuar të vërtetën e zhdukjes së gazetarit, shtetas të Arabisë Saudite Jamal Khashoggi djali i Hamzait, dhe duke u nisur nga parimet e bashkëpunimit me Republikën dhe Qeverinë e Turqisë, Mbretëria e Arabisë Saudite fton ekspertët dhe autoritetet përkatëse turke që të vizitojnë konsullatën në Stamboll”, thuhet në notën e Arabisë Saudite.

Kujtojmë se gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” Khashoggi u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.