Konsensus për votim elektronik në disa bashki

Oerd Bylykbashi: Vijojmë negociatat me PS për reformën

Konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës për amendimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duket i pamundur, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për reformën zgjedhore. Negociatat do të vijojnë, pavarësisht mbylljes së sesionit parlamentar, ku një ndër çështjet për të cilat palët do të duhet të bien dakord është bashkia në të cilën do të zbatohet projekti pilot për votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Kemi rëne dakord të pilotohet në disa bashki, por duhet të jenë bashki të mjaftueshme të mëdha.  Është ‘game-changer’ se ndryshon gjithçka dhe do heqë nga duart e komisionerëve politikë që duan të prishin apo manipulojnë procesin, apo dhe kriminelët, do reduktojë hapësirat për vjedhjen e votave, listat apo kartat false…do zhdukë mundësinë e mbushjes se kutisë së votimit, do reduktoje hapësirën për korrupsion, zhduk edhe problemet e numërimit…”, tha bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi.

Por teksa për maxhorancën me rëndësi është depolitizimi i administratës, Bylykbashi thotë se standardet janë jetike për një proces të rregullt elektoral, dhe një pjesë e tyre, sipas tij, i garanton aplikimi i teknologjisë në zgjedhje, përfshi edhe kërkesën e shumicës.

 “Me një votim elektronik ne nuk na duhen komisione të mëdha dhe me pas u hapet rrugë komisionerëve profesionistë….edhe nëse vijnë nga politika i hap rrugë përmirësimit të administrimit zgjedhor për ta ndryshuar në të ardhmen, por këto janë diskutime që kërkojnë edhe vendimmarrje politike.”

Sa për kërkesat e aleatëve të cilët kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor dhe lista të hapura, koha është përpara.

 “Sapo ne mbarojmë me dispozitat që kanë të bëjnë me standardet e zgjedhjeve ne do merremi me çështjet e tjera që nuk kemi kohën tani për t’i diskutuar, sistemi zgjedhor diskutimi është i shumëllojshëm, por nëse listat e zgjedhësve janë të manipuluara, nëse shiten e blihen vota asnjë nga këto s’ka lidhje me sistemin zgjedhor dhe nëse këto shkojnë keq çdo sistem zgjedhor dështon, maxhoritar, proporcional i pastër apo rajonal, listë e hapur apo e mbyllur.”

Bylykbashi shprehet optimist se brenda Nëntorit komisioni i reformës zgjedhore do të reflektojë në ligj ndryshimet për zgjedhjet lokale dhe më pas, puna do të vijojë me çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare, siç është sistemi zgjedhor dhe votimi i emigrantëve.

Burimi: Tv Klan