Konferencë mbi çështjet e trafikut të qenieve njerëzore në Ballkan

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi për çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin e Ballkanit dhe rolin e parlamentarëve në këtë drejtim, si dhe për t’u koordinuar kundër këtij fenomeni

Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur konferenca ndërkombëtare lidhur me çështjet e trafikut të qenieve njerëzore, duke mbledhur së bashku parlamentarë nga disa vende, si dhe zyrtarë të lartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi për çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin e Ballkanit dhe rolin e parlamentarëve në këtë drejtim, si dhe për të luftuar në një mënyrë sa më efikase dhe për t’u koordinuar kundër këtij fenomeni.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha gjatë konferencës se disa vite më parë me ekspertë nga Britania është diskutuar për të ngritur rrjetin e parlamentarëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të luftuar për parandalimin e trafikimit.

Sipas Hysit, Kuvendi i Shqipërisë nga viti 2013 bëri një sërë ndryshimesh të rëndësishme në kodin penal lidhur me trafikun e qenieve njerëzore, ashpërsoi dënimet për ata që përdorin shërbimet e viktimave të trafikuara dhe ashpërsoi dënimin ndaj autorëve të krimit.

Duke folur për të drejtat e viktimave të trafikimit, Hysi tha se ato gëzojnë shumë pak të drejta. “Në kuadër të reformës në drejtësi të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë, drejtësia penale dhe viktimat dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit ishin një nga 7 shtyllat kryesore ku u fokusua puna e reformës në drejtësi. Falë punës së bërë nga ekspertët e nivelit të lartë ne kemi sot një kod të procedurës penale me standarde dhe ligje të përmirësuara”, deklaroi Hysi.

Ndërsa Vernon Coaker, bashkëkryetar i Mbretërisë së Bashkuar për grupin parlamentar për trafikimin dhe raportues për trafikimin e qenieve njerëzore në Këshillin e Evropës në fjalën e tij theksoi se ka ende shumë sfida dhe ka ende shumë rrugë për të bërë lidhur me këtë fenomen.