Kompania izraelite NSO mohon lidhjen me vrasjen e Khashoggit

Akuzat u hodhën nga aktivisti Abdulaziz, i cili tha se telefoni i tij ishte hakuar nga kompania, gjë që lejoi qeverinë saudite të monitoronte korrespondencën e tij me Khashoggin

– Kompania softuerike izraelite NSO Group ka mohuar akuzat se përgjuesi i saj ishte përdorur në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

E akuzuar për ndhmë të qeverisë saudite për të monitoruar mesazhet telefonike të Khashoggit, NSO Group këto pretendime i quajti “krejtësisht të pabaza” dhe “me asnjë dëshmi” se teknologjia e kompanisë ishte përdorur.

Akuzat u hodhën nga aktivistii i bazuar në Montreal të Kanadasë, Omar Abdulaziz, i cili tha se telefoni i tij ishte hakuar nga kompania përmes softuerit të saj Pegasus, gjë që lejoi qeverinë saudite të monitoronte korrespondencën e tij me Khashoggin.

Pegasus infekton telefonat duke dërguar tekst mesazhe që tërheqin përdoruesin të klikojë në lidhje të caktuar. Sapo të klikohet lidhja, softueri shkarkohet në pajisje dhe e infekton atë.

Khashoggi, një gazetar dhe kolumnist i “The Washington Post”, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pasi fillimisht tha se ai ishte larguar nga konsullata, javë më vonë Arabia Saudite pranoi se ai u vra brenda konsullatës.

Ekipi ligjor i aktivistit Abdulaziz të dielën ngriti një padi në Izrael duke argumentuar se NSO Group shkeli ligjet ndërkombëtare duke ia shitur programet e saj Arabisë Saudite, duke qenë në dijeni se mund të përdoret për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në muajin maj, Abdulaziz tha se ai takoi dy zyrtarë të qeverisë saudite në Montreal dhe regjistroi bisedat e tyre, duke i ndarë ato me CNN-në. Zyrtarët thanë se ishin dërguar nga Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, i cili donte t’i ofrojë atij një punë.

Abdulaziz u konsultua me Khashoggin pasi zyrtarët i thanë atij të shkonte në ambasadën saudite për të plotësuar dokumentin, mirëpo Khashoggi i tha atij të mos shkonte dhe të takohej vetëm në vende publike.