Komentet e Netanyahut shkaktojnë tensione me Poloninë

Komentet e Netanyahut, i cili tha se "polakët kanë bashkëpunuar me nazistët", erdhën gjatë vizitës së tij në Varshavë të mërkurën dhe të enjten për një konferencë në lidhje me Lindjen e Mesme

Komentet e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu se polakët kanë bashkëpunuar me nazistët kanë shkaktuar tensione në marrëdhëniet ndërmjet Tel Avivit dhe Varshavës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave izraelite, Anna Azari, ambasadorja e Izraelit në Varshavë, është thirrur sot në Ministrinë e Jashtme të Polonisë për sqarimin e komenteve.

Komentet e Netanyahut, i cili tha se “polakët kanë bashkëpunuar me nazistët”, erdhën gjatë vizitës së tij në Varshavë të mërkurën dhe të enjten për një konferencë në lidhje me Lindjen e Mesme.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda dhe kryeministri Mateusz Morawiecki kanë kritikuar deklaratën e kryeministrit izraelit.

“Nëse komentet e kryeministrit Netanyahu janë siç thonë mediat, Izraeli nuk është më vend i mirë për takimet e Grupit të Vishegradit”, tha Duda, duke iu referuar takimit të së hënës dhe të martës së ardhshme në Kuds.

Grupi i Vishegradit është aleancë kulturore dhe politike e Polonisë, Sllovakisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë. Pas komenteve, Duda ka paralajmëruar mundësinë që takimi të organizohet në vendin e tij.

Morawiecki tha se Polonia ishte gjithashtu midis viktimave të Gjermanisë naziste.

Organizimi i takimit të Vishegradit në Kuds është pjesë e përpjekjeve të Netanyahut për të krijuar lidhje më të ngushta me vendet e Evropës Lindore, në vazhdën e presionit ndërkombëtar në rritje kundër politikës së tij ndaj palestinezëve.