“Kokë-gjarpërinjtë”, mafia kineze që dyshohet për 39 trupat në Angli

Policia angleze dyshon se 39 emigrantët kinezë, të cilët u gjetën të vdekur në një kamion në Angli, janë pjesë e trafikut njerëzor që menaxhon prej gati katër dekadash mafia kineze, “Kokë-gjarpërinjtë”, të cilët kanë lidhje edhe me Koza Nostran italiane.

Kokëgjarpërinjtë janë një grup mafioz që vijnë kryesisht nga zona Fuxhian e Kinës. Biznesi i tyre është trafiku i njerëzve që duan të emigrojnë nga Kina në vende të pasura perëndimore. Ata lulëzuan në lagjen kineze të Nju Jorkut, “Çajnataun”, në vitet 1980, kur kinezët emigronin në masë drejt SHBA-ve. Më pas rrjeti u zgjerua në Europë e Australi.

Kreu më i famshëm i grupit ka qenë Motra Ping, e cila në vitet 1980 u merrte nga 17 mijë dollarë për kokë kinezëve emigrantë për t’i sjellë në SHBA; nga 35 mijë dollarë në vitet 90, dhe sot mendohet se ky çmim është rritur edhe më shumë, edhe deri në 70 mijë dollarë.

Motra Ping u arrestua në Hong Kong në vitin 2000, u ekstradua në SHBA në vitin 2003, dhe vdiq në burg nga kanceri në vitin 2014, por shumë kinezë në SHBA e përcollën me nderime, pasi u dha mundësinë të krijonin një jetë të re në Amerikë. Por Motra Ping nuk e bënte nga zemra e bardhë. Për t’i detyruar që të paguanin tarifën, pasi vinin në SHBA, ajo përdorte gangsterët e Fuxhianit për t’i rrahur e për t’i trembur me dhunë. Metoda më e shpeshtë ishte t’u merrnin peng një anëtar të familjes derisa të tjerët të jepnin paratë.

Edhe pas vdekjes së saj, mafia Fuxhianeze ka vazhduar të kryejë rrëmbime nga më të ndryshmet, duke u bërë gjithnjë e më e rrezikshme, gjithnjë e më e dhunshme. Gjatë viteve 2000-2010 ka pasur disa arrestime në Britaninë e Madhe dhe në SHBA. Ata i sillnin emigrantët nga Kina në vendet perëndimore me mënyra nga më të ndryshmet, edhe kamionë si rasti i Anglisë, por shpesh përfundonin të marrë peng.