Kalın: Turqia “absolutisht kundër” ndarjes së Libisë

"Ne jemi absolutisht kundër ndarjes së Libisë, qoftë në realitet, apo në hartë", tha zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın

Zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın, tha se Turqia kundërshton fuqishëm ndarjen e Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi absolutisht kundër ndarjes së Libisë, qoftë në realitet, në hartë, politikisht ose gjeografikisht”, tha İbrahim Kalın gjatë një interviste me CNN International me qendër në Londër.

“Ky do të jetë një skenar shkatërrues. Ne kemi parë raste të ngjashme në Irak, Siri, në vende të tjera. Ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo”, shtoi ai.

Libia është zhytur në konflikt që kur operacionet e NATO-s çuan në rrëzimin e Muammar Gadaffit në vitin 2011.

Qeveria e re e vendit u themelua katër vjet më vonë në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë deri më tani kanë dështuar për shkak të sulmit ushtarak nga forcat e gjeneralit renegat Khalifa Haftar.

Që nga prilli i vitit 2019, forcat e paligjshme të Haftarit nisën sulme mbi kryeqytetin Tripoli dhe pjesët tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në më shumë se 1.000 vdekje, përfshirë gra dhe fëmijë.

Haftar është mbështetur ndërkombëtarisht nga Rusia, Franca, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përderisa qeveria e mbështetur nga OKB ka mbështetjen e Turqisë.

Në muajt e fundit, Ushtria Libiane ka bërë përparime të theksuara, duke larguar forcat e Haftarit nga Tripoli dhe qyteti strategjik Tarhuna.

Kalın tha se qeveria turke do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB, duke akuzuar Haftarin se ka shkatlrruar Libinë.

“Ai është përpjekur të shtyjë rrugën e tij dhe ai është duke u përpjekur të ndajë Libinë, ose të marrë kontrollin e Libisë pa pasur aspak legjitimitet”, tha ai, duke shtuar se Haftar “ka shkelur çdo marrëveshje të vetme, armëpushim ose proces paqeje gjatë dy viteve të fundit”.