Kadri Veseli: Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë

"Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë", tha Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me familjarë të viktimave të luftës dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, kanë diskutuar në Kuvend mbi lansimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet serbe në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, Veseli ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë. Për këtë arsye, ai tha se një Gjykatë Ndërkombëtare e paanshme për krimet e shtetit serb është e domosdoshme.

“Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë ai.

Veseli tha se po presin që së shpejti, edhe parlamente të tjera, të vendeve mike, t’i përgjigjen letrës që ua ka dërguar për të njohur dhe përkujtuar në mënyrë formale krimet e kryera nga shteti serb ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

“Gjykata Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë do të ngrihet, jo mbi urrejtje, pretendime, por mbi ngjarje (krime, masakra), njerëz dhe dëshmi reale”, tha Veseli.

Kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, Bajram Qerkini, tha se kanë vuajtur shumë dhe do të vuajnë ende, por shpresat janë se do të bëhet një hap më i madh në këtë drejtim.

“Sot nuk do të flas vetëm për djalin tim dhe familjen time, por në emër të 1647 familjeve të të zhdukurve. Andaj duhet të kërkojmë drejtësi dhe nuk është hera e parë sot që po bëjmë kërkesa për drejtësi”, tha Çerkini.

Në emër të shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nusrete Kumnova, tha se sot është e gëzuar që institucionet e Kosovës edhe pse vonë marrin vendime të drejta për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë. Ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të punohet edhe më shumë për të pagjeturit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se do të angazhohen në vazhdimësi në implementimin e kësaj iniciative dhe në kapjen e kriminelëve serbë. “Iniciativa njëherë e përgjithmonë do të na i shërojë plagët të cilat i kemi të hapura që nga lufta”, tha Tahiri.

Në fund të seancës, kryeparlamentari Veseli, tregoi se do të ndërmerren hapa edhe për ndërtimin e “Muzeut të Gjenocidit”, që do të ndërtohet vetëm disa kilometra larg prej Prishtinës, ndërsa do të bëhet përpjekje që ai të përfundojë më së largu brenda vitit 2020.

Iniciativës për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare për krimet serbe i dhanë mbështetje të gjithë përfaqësuesit e institucioneve e organizatave, përpos një pakice, me në krye deputeten e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, e cila u shpreh skeptike për mundësitë e themelimit të një gjykate të tillë. Sipas Bogujevcit, për Kosovën do të ishte më e mirë të angazhohej për themelimin e një gjykate vendore.