Jordania ndërhyn për uljen e tensioneve në Al-Aksa

Në deklaratë thuhet se policia izraelite që nga ajo kohë ishte tërhequr nga Porta Al-Rahma dhe se masat e reja të kufizimeve ndaj rojeve të Al-Aksas ishin kthyer mbrapsht

Sipas Autoritetit për Çështjet Fetare të Kudsit në Jordani, Qeveria e Jordanisë ka ndërhyrë për të ulur tensionet në kompleksin e xhamisë Al-Aksa të Kudsit, pasi Izraeli vendosi disa masa të sigurisë anën e pikës së nxehtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të lëshuar nga autoritetet, masat izraelite përfshinin arrestimin e një zyrtari të xhamisë palestineze, vendosjen e policisë izraelite pranë portës Al-Rahma të Al-Askas,si dhe kufizime të reja ndaj rojeve palestineze të xhamisë.

Megjithatë, deklarata shpjegon se autoritetet jordaneze, pasi u konsultuan me homologët e tyre izraelitë, kishin siguruar lirimin e zyrtarit të arrestuar të xhamisë, Abdullah Ebu Talib.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se policia izraelite që nga ajo kohë ishte tërhequr nga Porta Al-Rahma dhe se masat e reja të kufizimeve ndaj rojeve të Al-Aksas ishin kthyer mbrapsht.

Megjithëse Izraeli e pushtoi Kudsin Lindor në vitin 1967, ku dhe gjendet Al-Aksa, autoriteti i drejtuar nga Jordania mbetet përgjegjës për mbikëqyrjen e vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtere të qytetit.

Autoriteti njofton se në një zhvillim të ndërlidhur, më shumë se 100 kolonë ekstremistë hebrenj me forcë hapën rrugën e tyre brenda kompleksit Al-Aksa.

Territoret palestineze vazhdojnë të mbeten të tensionuara pasi që muajin e kaluar SHBA-të zhvendosën ambasadën e tyre në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.

I pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, Kudsi Lindor, që palestinezët e synojnë si kryeqytet të një shteti të ardhshëm palestinez, mbetet në qendër të konfliktit prej dekadash në Lindjen e Mesme.