Joe Biden: Askush nuk do t’na e rrëmbejë demokracinë

"Askush nuk do të jetë në gjendje të na e marrë demokracinë, as tani dhe as kurrë”, tha Biden

Kandidati demokrat presidencial në SHBA, Joe Biden, deklaroi se askush nuk mund t’ua marrë demokracinë nga duart, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Askush nuk do të jetë në gjendje të na e marrë demokracinë, as tani dhe as kurrë”, tha Biden në një deklaratë në Twitter.

Biden vuri në dukje se SHBA-ja ka kaluar shumë beteja deri më tani.

Kandidati demokrat Joe Biden tha në një deklaratë në shtetin Delaware se nuk ka dyshim se do t’i fitojë zgjedhjet dhe u kërkoi mbështetësve të tij të qëndronin të qetë.

Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump dje tha: “Nëse i numëroni votat e hedhura në mënyrë të ligjshme, unë i fitoj me lehtësi këto zgjedhje. Nëse i numëroni votat e paligjshme dhe të vonuara, (Demokratët) mund të na i vjedhin këto zgjedhje”.

Ndryshe, rezultatet e përkohshme në zgjedhjet presidenciale në SHBA tregojnë se asnjëri kandidat ende nuk e ka arritur numrin e duhur të delegatëve për të shpallur fitoren.

Rezultatet ende nuk janë definuar në shtetet kyçe Pennsylvania, Karolina e Veriut, Georgia, Arizona dhe Nevada.