“Jemi të angazhuar në përmbushjen e prioriteteve për integrimin evropian”

"Banka e Shqipërisë mbetet një institucion i angazhuar në përmbushjen e prioriteteve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian", tha Sejko

Në mjediset e Bankës Qendrore të Shqipërisë u mbajt ceremonia e prezantimit të projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i përafrimit të Bankës së Shqipërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE)”, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, drejtues të Bankës së Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Në fjalën e tij në aktivitet, guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ky është një projekt i financuar nga BE-ja dhe është në vazhdën e projektit të përafrimit të Bankës së Shqipërisë, udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane në partneritet me 11 banka të tjera të BE-së.

“Projekti i ri që po lançohet sot është vazhdimësi e projektit të mëparshëm, pasi do të adresojë një pjesë të rekomandimeve të vitit 2014. Duke shpresuar që pranvera e vitit 2020 do të hapë dritën jeshile të negociatave për Shqipërinë, Banka e Shqipërisë mbetet një institucion i angazhuar në përmbushjen e prioriteteve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian. Ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BE-së dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese dhe ripërtërin perspektivën e qartë evropiane të Shqipërisë”, tha Sejko.“Jemi të angazhuar në përmbushjen e prioriteteve për integrimin evropian”

Sipas tij, Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka zbatuar disa projekte të financuara nga BE.

“Projekti i parë i binjakëzimit u zbatua gjatë viti 2012-2013 dhe ashtu si sot, Banka e Italisë në partneritet me Bankën e Francës kontribuoi me sukses në arritjen e rezultateve konkrete në gjashtë fusha të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Rekomandimet e dhëna në përfundim të projektit përbëjnë listën e prioriteteve kryesore për përafrimin institucional të Bankës së Shqipërisë me modelin e sistemit evropian të Bankave Qendrore”, u shpreh Sejko.

Më tej gjatë fjalës së tij, Sejko tha se mbështetja që i është dhënë Bankës së Shqipërisë nga Banka Qendrore Evropiane ndër vite, ka bërë të mundur përmbushjen e objektivave të saj dhe të funksionojë si një institucion modern dhe i besueshëm.

Projekti “Fuqizimi i përafrimit të Bankës së Shqipërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE)” do të përfshijë tetë departamente të ndryshme të Bankës së Shqipërisë dhe do të adresojë çështje si mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar, politikat monetare dhe statistikat, burimet njerëzore dhe integrimi evropian.