Java tjetër sjell shiun dhe dëborën! Dielli i ngrohtë i lë vendin temperaturave minus

Pas temperaturave të ngrohta të pazakonta për dhjetorin dhe fillimin e janarit, javës tjetër do të përballemi me temperaturat tipike të dimrit.

Sipas sinoptikanes së MeteoAlb Lajda Porja, edhe kjo fundjavë do të jetë e ngrohtë dhe pa reshje, ndërsa ndryshimi do nisë të martën. Nga mesi i javës tjetër, veç temperaturave të ulëta do të jenë prezente edhe reshjet e shiut dhe të dëborës në disa zona.

“Edhe kjo fundjavë do jetë e ngrohtë dhe pa reshje. Temperaturat e ajrit gjatë fundjavës rriten në orët e para të mëngjesit me 3-4 gradë në zonat malore, ndërsa temperaturat maksimale mbeten 15 apo 16 gradë. Fillimi i javës tjetër, që nga e marta do të përjetojmë temperature tipike të dimrit, ku do kemi edhe sisteme vranësira që do sjellin reshje të shiut dhe dëborës. Java tjetër ndërkohë, do jetë tipike e dimrit me temperatura të ulta deri në -4 gradë Celsius. Reshjet edhe pse do jenë prezente, do të jenë të pakta, ditën e hënë dhe të martën. Mesi janarit do sjellë temperaturat tipike të dimrit pas 10 ditëshit kur kemi pasur temperature rekord deri në 18 gradë Celsius”- parashikon sinoptikania Lajda Porja.