Japonia thirrje për zbardhjen e vrasjes së gazetarit Khashoggi

“Japonia shpreson që të vërtetat të zbardhen me shpejtësi përmes hetimit të kryer nga Turqia dhe që reagimet të vijnë në mënyrë të drejtë dhe transparente”, ka thënë Yoshihide Suga

 Qeveria e Japonisë ka bërë thirrje për zbardhjen e të vërtetave në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari i Kabinetit Yoshihide Suga e ka cilësuar si “maksimalisht trishtuese” ngjarjen mbi gazetarin Khashoggi, raportoi agjencia e lajmeve Kyodo.

“Japonia shpreson që të vërtetat të zbardhen me shpejtësi përmes hetimit të kryer nga Turqia dhe që reagimet të vijnë në mënyrë të drejtë dhe transparente”, ka thënë Suga.

Siç komentohet në lajmin e agjencisë, reagimi i Japonisë ka qenë më i dobët nga ai i tre vendeve evropiane dhe se Tokioja zyrtare ka hezituar të kritikojë Arabinë Saudite, që është furnizuesi i saj më i madh i naftës.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania përmes një deklarate të përbashkët theksuan se “asgjë nuk e justifikon” vrasjen e Khashoggit dhe e dënuan atë “në mënyrën më të fuqishme”.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel më herët njoftoi ndërprerjen e shitjes së armëve Arabisë Saudite deri në zbardhjen e rrethanave që çuan në vrasjen e gazetarit.