Japoni, rritet në 72 numri i të vdekurve nga tajfuni Hagibis

Ekipet e mbrojtjes civile, policia dhe zjarrfikësit njoftuan se mbi 100 persona janë lënduar në zonat e prekura, ndërsa 15 të tjerë trajtohen si të zhdukur dhe aktivitetet për gjetjen e tyre janë duke vazhduar

Numri i të vdekurve si pasojë e tajfunit Hagibis, i cili në fundjavë përfshiu gjashtë rajone në Japoni, është rritur në 72, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas CNN, gjithsej 72 persona kanë humbur jetën deri më tani si rezultat i tajfunit.

Ekipet e mbrojtjes civile, policia dhe zjarrfikësit njoftuan se mbi 100 persona janë lënduar në zonat e prekura, ndërsa 15 të tjerë trajtohen si të zhdukur dhe aktivitetet për gjetjen e tyre janë duke vazhduar.

Të paktën 230 mijë persona janë evakuuar në zonat e sigurta.

Nga ana tjetër, në Japoni u ngritën reagime pasi dy të pastrehë të cilët iknin nga stuhia dhe reshjet e shkaktuara nga tajfuni Hagibis nuk u pranuan në strehimore.

Një nga të pastrehët, 64-vjeçari Asahi Shimbun, tha se është detyruar që natën ta kalojë nën një ombrellë pranë një ndërtese.

Pasi ngjarja është shpërndarë në rrjetet sociale, kryeministri Abe Shinzo në një deklaratë në parlament tërhoqi vëmendjen se strehimoret duhet të jenë të hapura për të gjithë, duke shtuar se incidenti do të hetohet detajisht dhe do të merren masat e duhura.