Januzaj nderon Belgjiken ndaj Anglisë, fitore prestigji edhe për Tunizinë

Belgjika s’ka frikë nga Brazili, Januzaj gjunjëzon Anglinë

Një gol i Adnan Januzajt i dha Belgjikës fitoren në ndeshjen e fundit të grupit G kundër Anglisë, duke nxjerrë “Djajtë e Kuq” në vend të parë në grup me pikë të plota.

Ironikisht, të paktën në letër, fitorja e çon Beljikën në “rrugën” më të vështirë drejt turneut pasi rrezikon të përballet me pretendentet kryesore për fitimin e tij, si Brazili, Argjentina dhe Portugalia, sigurisht nëse kalon Japoninë në fazën e ardhshme.

Ndërsa Anglia, me vendin e dytë, ka një rrugëtim disi më të lehtë, edhe pse përballë do të mund të ketë Spanjën ose Kroacinë në fazat e mëvonshme. Por fillimisht, skuadra e Gareth Southgate duhet të kalojë provën e vështirë kolumbiane.

Të dy skuadrat e nisën praktikisht ndeshjen me formacionet rezervë, pasi trajnerët kishin lënë jashtë lojtarët më të mirë, që kishin shkëlqyer në dy ndeshjet e para në grup. Golashënuesit e turneut, Harry Kane dhe Romelu Lukaku, u lanë të dy në stol, duke mos pasur mundësi të shtojnë numrin e goalve të paktën në këtë takim.

Pas një pjese të parë me ritëm jo shumë të lartë, gjashtë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Januzaj, i cili luajti titullar, merr një top të mirë në krah të djathtë dhe pasi futet disi më në qendër lëshon një goditje të pakapshme për Pickford.

Rastin më të mirë për anglezët e pati Marcus Rashford, por i vetëm përballë Curtois, sulmuesi i Manchester United nuk arrin të gjejë rrjetën, pasi topi devijohet me majën e gishtave nga portieri i Chelseat. Në fund, Belgjika e rriti ritmin për të shënuar dhe golin e dytë por nuk ia arriti.