Izraeli vendos televizionin Al-Aqsa në listën terroriste

Duke vendosur televizionin Al-Aqsa në listën e terrorizmit, Izraeli ka marrë për herë të parë një vendim të tillë kundër një institucioni mediatik palestinez

Autoritetet izraelite njoftuan se kanë vendosur në listën e terrorizmit televizionin Al-Aqsa i cili bën transmetim në Rripin e Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria izraelite e Mbrojtjes në një deklaratë me shkirm nga llogaria e saj në rrjetin social ka theksuar se “Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Benjamin Netanyahu ka vendosur në listën e terrorizmit televizionin Al-Aqsa që i përket Hamasit”.

Netanyahu në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social tha se “Në një studim të kryer nga Shërbimi i Brendshëm Informativ Shin-Bet (Shabak) dhe Komanda Kombëtare e Mbrojtjes kundër Terrorizmit e Ministrisë së Mbrojtjes u zbulua se Hamasi e ka përdorur kanalin Al-Aqsa për punësimin e militantëve të tij dhe pas kësaj është marrë vendimi që kanali të vendoset në listën terroriste”.

Duke vendosur televizionin Al-Aqsa në listën e terrorizmit, Izraeli ka marrë për herë të parë një vendim të tillë kundër një institucioni mediatik palestinez.

Televizoni Al-Aqsa i cili ka transmetime me qendër në Gaza ka refuzuar edhe më parë akuza të ngjashme të bëra nga Izraeli.

Ushtria e Izraelit më 12 nëntor 2018 sulmoi me raketa ndërtesën qendrore të kanalit televiziv Al-Aqsa në Gaza dhe shkatërroi ndërtesën nga ku kanali bënte transmetimet.