Izraeli rrëzon një dron të lëshuar nga Gaza

“160 avionë luftarakë shënjestruan Gazën me 450 raketa brenda 40 minutave të enjten në mbrëmje”, njoftoi ushtria izraelite

Ushtria izraelite sot njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan një dron të lëshuar nga Gaza e bllokuar në drejtim të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në total 160 avionë luftarakë, duke u ngritur nga gjashtë baza të ndryshme ajrore në Izrael, gjuajtën rreth 450 raketa në 150 objektiva në Gaza brenda 40 minutash”, tha zëdhënësi i ushtrisë së izraelit Avichay Adraee në një deklaratë.

Brigadat Al-Kassam, krahu ushtarak i grupit Hamas, thanë se sulmuan një fabrikë kimike në Nir Oz me një dron Shehab në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Ndërkohë, Brigadat Al-Kuds, krahu ushtarak i grupit palestinez Xhihadi Islam thanë se shënjestruan një pozicion izraelit pranë Gazës me një mortajë.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, grupet e rezistencës palestineze kanë lëshuar 4 dronë në Izrael që nga 12 maji.

Sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës martirizuan sot 10 palestinezë, duke e çuar numrin e viktimave në 119, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Viktimat përfshijnë 31 fëmijë dhe 19 gra ndërsa numri i të plagosurve u rrit në 830.

Avionët luftarakë izraelitë kanë rinisur sulmet ajrore në Gaza, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e banimit në të gjithë enklavën.

Situata u tensionua në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar gjatë muajit të kaluar ndërsa kolonët izraelitë u futën pas një urdhri gjykate për dëbimin e familjeve palestineze në zonë.

Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheik Jarrah nëse nuk ndaleshin.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.