Izraeli rrënon shtëpinë e palestinezit në Ramallah

Që nga viti 2017 rreth 45 shtëpi të sulmuesve të pretenduar palestinezë janë shkatërruar nga forcat izraelite

 Forcat izraelite kanë rrënuar shtëpinë e një të riu palestinez, për të cilin pretendohet se me thikë sulmoi dhe vrau një kolon hebre muajin e kaluar në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtria izraelite, në një deklaratë, tha se shtëpia e palestinezit Mohammed Tarek Ibrahim Dar Yusuf u rrënua në fshatin Kubar në veri të qytetit Ramallah.

Tarek u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite gjatë sulmit të pretenduar të muajit të kaluar.

Forcat izraelite shpesh rrënojnë shtëpitë e palestinezëve të përfshirë në sulme si një masë ndëshkuese për nisjen e sulmeve kundër objektivave izraelite.

Sipas vlerësimeve palestineze, që nga viti 2017 rreth 45 shtëpi të sulmuesve të pretenduar palestinezë janë shkatërruar nga forcat izraelite.