“Izraeli po anekson dalëngadalë Bregun Perëndimor”

Raportuesi Special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Palestinën, Michael Lynk, deklaroi se Izraeli duke forcuar praninë e tij në Bregun Perëndimor me njësitë e vendbanimeve ilegale "po anekson dalëngadalë rajonin"

Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut për Palestinën, Michael Lynk, ka deklaruar se Izraeli duke forcuar praninë e tij në Bregun Perëndimor me njësitë e vendbanimeve ilegale “po anekson dalëngadalë rajonin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Lynk pasi paraqiti raportin e tij vjetor në komitetin e tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila diskutoi çështjet e të drejtave të njeriut tërhoqi vëmendjen se situata në Gaza po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Ai tha se palestinezët në rajon kanë energji elektrike jo më shumë se 5 orë në ditë.

Raportuesi i OKB-së theksoi se 97 për qind e ujit të pijshëm në Gaza është i përzier me ujë deti dhe ujëra të ndotura. Sipas tij, në protestat e zhvilluara në Gaza që nga 30 marsi e deri tani nga forcat izraelite të sigurisë janë vrarë më shumë se 200 palestinezë.

– Njësitë e vendbanimeve në territoret në pushtim përbëjnë “krim lufte”

Lynk ka kritikuar edhe njësitë e vendbanimeve ilegale të Izraelit në Bregun Perëndimor duke shtuar se këto vendbanime shkelin ligjin ndërkombëtar dhe se njësitë e vendbanimeve në territoret nën pushtim përbëjnë “krim lufte”.

Ai thotë se Izraeli gjatë 50 viteve ka rritur praninë e tij në Bregun Perëndimor. “Po bëhemi dëshmitarë të përpjekjeve të ashpra të forcave pushtuese për të marrë plotësisht Bregun Perëndimor dhe aneksimit të rajonit dalëngadalë”, tha Lynk.