Izraeli mirëpret vendimin e SHBA-ve për Këshillin e OKB-së

Vendimi i SHBA-ve për t'u tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut është mirëpritur nga qeveria e Izraelit

Vendimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut është mirëpritur nga qeveria e Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Zyra për media e kryeministrisë thuhet se është mirëpritur vendimi dhe shprehën falënderime ndaj presidentit amerikan Donald Trump, Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe përfaqësueses së përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley në lidhje me vendimin për tërheqjen e SHBA-ve nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Largimi i SHBA-ve nga këshilli është një vendim ‘ i guximshë’ duke argumentuar se Këshilli ka qenë prej kohësh një institucion paragjykues, armiqësor, anti-izraelit dhe ka tradhtuar misionin e tij për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë.

“Këshilli në vend që të luftojë regjimet që shkelin në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ai fokusohet në mënyrë ‘të fiksuar’ ndaj Izraelit i cili është demokracia ‘reale’ në Lindjen e Mesme”, qëndron në deklaratë ku tërhiqet vëmendja se vendimi i SHBA-ve për tërheqje është një mesazh i hapur për këshillin.

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Haley dje në një konferencë për media me sekretarin Pompeo bëri të ditur se vendi i saj largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.