Ivica Daçiç: Unioni i Komoreve tërheq njohjen e Kosovës

"Unioni i Komoreve ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës", deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç

Unioni i Komoreve ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, duke theksuar se ky është shteti i 10-të që ka tërhequr njohjen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Daçiç këtë e tha në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij shteti ishullor në Oqeanin Indian, Suef Mohamed El-Amini.

Suef Mohamed El-Amini tha se Unioni i Komoreve mbështet integritetin territorial të Serbisë.

“Ne jemi me ju kur është fjala për integritetin tuaj territorial. Pra, për ne, Kosova është pjesë integrale e territorit tuaj”, tha ai.

Ai shtoi se vendi i tij mbështet dialogun Beograd-Prishtinë, duke shtuar se “duhet dhënë shans dialogut që nesër të ketë kohabitacion të qetë” të Serbisë me fqinjët.