Ivica Daçiç reagon për letrën e Trump

“Marrëveshja me Kosovën nuk është e afërt”

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nuk e sheh aspak të afërt marrëveshjen me Kosovës, sikurse kërkoi Presidenti amerikan, Donald Trump në një letër dërguar homologut serb, Aleksandër Vuçiç. Në një intervistë televizive, Daçiç këmbëngul ashtu si Vuçiç se dialogu do të vazhdojë, kur Kosova të heqë dorë nga masat bllokuese ndaj Serbisë.

“Administrata amerikane ka qenë gati të organizonte nënshkrimin e një marrëveshjeje në momentin kur u duk se ne u pajtuam. Por gjithçka po ndodh tani me masat dhe vendimet e paarsyeshme nga Prishtina tregojnë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë”.

Sipas Daçiçit, thirrja e fortë e Trumpit për të arritur një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë është thirrje për Kosovën për t’u tërhequr nga masat që bllokojnë këtë proces. Megjithatë, Ministri i Jashtëm serb shpreh mbështetjen e fortë për një marrëveshje që është në të mirë si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë dhe se rishikimi i kufijve ishte një prej mundësive të zgjidhjes.

Presidenti serb është tërhequr nga dialogu me Prishtinën për shkak të tatimit me 100% për mallrat serbe, të vendosur nga qeveria kosovare me argumentimin se Serbia po përfitonte në mënyrë të pandershme nga tregtia e lirë me Kosovën, duke mos lejuar hyrjen në territorin serb të produkteve me vulën Republika e Kosovës./TVKlan