“Në referendumin populli e hodhi poshtë Marrëveshjen e Prespës. Me mosvotim, populli qartë u prononcua kundër zgjidhjeve të shpejta, të imponuara dhe të dëmshme të miratuara pa arritjen e konsesusit nacional. Shumica e heshtur vendosi, Bojkoti është zëri i atyre që janë të nënvlerësuar dhe nuk janë të dëgjuar”, theksoi sonte presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij drejtuar opinionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Ivanov në fjalimin e tij porositi se mesazhi i popullit është dërguar deri te ata që doemos duhet ta dëgjojnë.
“Realiteti është se referendumi nuk korri sukses, mos tentoni ta ndryshoni këtë realitet. Mos e nënvlerësoni vullnetin sovran të popullit maqedonas. Nuk mund të flitet për vullnet të shumicës në kushte kur nuk është përmbushur cenzusi ligjor për referendum. 36 për qind e jehonës nuk është vullneti i popullit, por 61.1 për qind që nuk dolën. Sa do të dredhoni, nuk mund ta ndryshoni realitetin. Realiteti është se referendumi është i dështuar. Koha është për përgjegjësi para popullit maqedonas”, theksoi Ivanov.
Ai deklaroi se “mbështetja për BE dhe NATO është dëmi kolateral i referendumit jopopullor”.
“Mbështetjen për BE dhe NATO prej 80 për qind e sollët në vetëm 36.9 për qind. I manipuluat edhe qytetarët tanë, ndërsa partnerëve tanë evropianë dhe evroatlantik u plasoni perceptime dhe shfaqje të rrejshme”, tha Ivanov.
Ai shfaqi pritjen se misioni mbikqyrës i OSBE/ODIHR-së seriozisht t’i merr parasysh ankesat rreth parregullsive në disa vendvotime.
Mes tjerash, presidenti i Maqedonisë tha se vendimi i qytetarëve në referendum obligon dhe dërgon urata deri te qytetarët për vendimin e tyre.
“Në referendum ju qytetarët drejtpërdrejt e realizoni pushtetin tuaj sovran. Kuvendi këtë vendim doemos ta respektojë. Andaj, uroj popullin maqedonas, shqiptar, turq, serb, romë, boshnjak dhe vlleh për vendimin e tyre”, theksoi Ivanov.
Më pas presidenti Ivanov tha se “nuk ka dilemma se vendi i Republikës së Maqedonisë është në BE dhe NATO, por aty duhet të hyjmë me dinjitetin tonë njerëzor, pa shantazhe, trysni dhe standarde të dyfishtë”.
Në referendumin e mbajtur dje votuan 666.743 qytetarë ose 36.91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar prej 1.806.336 në listën zgjedhore, bëri të ditur Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë (KSHZ), pas përpunimit 100 për qind e të dhënave të përpunuara.
Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?, “për” kanë votuar 91,46 për qind, apo 609.813 qytetarë, ndërsa “kundër” janë prononcuar 5,65 për qind apo 37.700. Vota të pavlefshme janë 19.221 fletëvotime apo 2,89 për qind.
Pas mbajtjes së referendumit, sipas asaj që parashihet, vendimin final për Marrëveshjen me Greqinë duhet ta marrë Kuvendi i Maqedonisë, ku për ndryshimet kushtetuese do të nevojitet vota e dy të tretave të deputetëve.
Sipas Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin, pas procedurave të zbatuara në Maqedoni, nevojitet që kjo marrëveshje të ratifikohet edhe në Kuvendin e Greqisë.