Italia kërkon solidarësi për të përballuar fluksin e emigrantëve, Gjermania e mbështet

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ofroi mbështetjen e vendit të saj për Italinë për të përballuar fluksin e emigrantëve, gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Berlin me Kryeministrin italian, Giuseppe Conte...

ancelarja gjermane, Angela Merkel, ofroi mbështetjen e vendit të saj për Italinë për të përballuar fluksin e emigrantëve, gjatë takimit të zhvilluar të hënën në Berlin me Kryeministrin italian, Giuseppe Conte.

Merkel ngriti çështjen për të zgjidhur problemin e refugjatëve në zonat e origjinës që janë Afrika Veriore, në veçanti Libia, duke kërkuar më shumë bashkëpunim me organizatat e refugjatëve si Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Duke tërhequr vëmendjen se Italia ka pranuar shumë refugjatë, shefja e qeverisë gjermane vuri në pah se problemet e kësaj fushe duan që t’i trajtojnë në kuadër të Bashkimit Evropian.

Ajo nënvizoi se Gjermania preket nga emigracioni gjithashtu, prandaj dëshirojnë që me Italinë të intensifikojnë bashkëpunimin dypalësh në këtë fushë, raporton “TRT”.

“Ne duam të mbështesim kërkesën e Italisë për më tepër solidaritet. Kur bëhet fjalë për solidarësi në ballafaqimin me fluksin e emigrantëve në Evropë, ne shpresojmë që edhe Gjermania të mirëkuptohet”, u shpreh Merkel.

Më tej, shefja e Berlinit zyrtar deklaroi se me homologun italian ka të njëjtin mendim për fuqizimin e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbështetjen e vendeve afrikane si origjinë e emigracionit.

Ndërsa Giuseppe Conte, i cili morri detyrën si kryeministër i Italisë më 1 qershor, pas një procesi të gjatë për formimin e një koalicioni qeverisës, bëri thirrje për më shumë solidaritet të BE-së në shpërndarjen e barrës së emigrantëve.

“Gjermania, sikurse dhe Italia, është e vetëdijshme për pasojat politike, sociale, ligjore dhe ekonomike të fenomenit të emigracionit. Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë pikëpamjet e saj në këtë aspekt. Kufijtë e Italisë janë kufij të Evropës, prandaj në vend të divergjencave, të gjithë duhet të marrin përgjegjësi duke shfaqur më tepër solidarësi dhe bashkëpunim”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, në kuadër të vizitës së tij të parë në Gjermani pas marrjes së drejtimit të qeverisë italiane.

Conte shtoi po ashtu se refugjatët duan që të kapërcejnë barrierat e vendosura nga Konventa e Dublinit, e cila parashikon që kërkesat për azil të bëhen në vendmbërritjen e parë në Evropë.