Ish-ministri i brendshëm i Maqedonisë, Çavkov, dënohet me 18 vjet burg për ngjarjet e 27 prillit

Të dënuarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues”

Gjashtëmbëdhjetë nga 17 të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë dënuar me 211 vjet heqje lirie, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili u dënua me 18 vjet burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga 15 vjet heqje lirie u dënuan shefat e policisë Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, si dhe Munik Pepiq, Jane Çento, Vlatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski.

Villijam MIhajllovski u dënua me 14 vjet, ndërsa Oliver Popovski me nga 13 vjet burg.

Nga 12 vjet u dënuan Mlladen Dodevski, Gorançe Angjellovski dhe Igor Jug.

Oliver Radulov, sigurimi i shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), u dënua me 10 vjet burg, ndërsa i punësuari si sigurim në Kuvend, Abdulfetah Alimi, u dënua me 7 vjet heqje lirie.

I akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha u dënua me 8 vjet heqje lirie. Igor Durlovski, një nga udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, u lirua nga akuza.

Të dënuarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues”.

Pas miratimit të Ligjit për Amnisti në Kuvend, 15 persona u amnistuan dhe procedura kundër tyre u ndërpre. Midis tyre ishin deputetët Sasho Vasilevski dhe Krsto Mukoski. Për të akuzuarin Sasho Markovski procedura zhvillohet ndaras për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Gjykimin e sotëm e njoftoi gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila udhëheq rastin e Prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ngjarjet e 27 prillit.

Mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik, si pasojë e së cilës mbetën të lënduar rreth 100 persona.

Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetra persona, përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së, ndër të cilët edhe deputeti dhe ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski.