Ish-këshilltarja e Donald Trumpit ka publikuar atë që ajo e quajti si përgjim i një telefonate nga presidenti amerikan, pas shkarkimit të saj vitin e kaluar.
Ajo po përgatitet të publikojë edhe një biografi së shpejti, ndërsa Shtëpia e Bardhë e përshkruan atë si një ish-punonjëse e pakënaqur. Përmes rrjetit social të tij të preferuar, Trumpi tha se ish-punonjësja e tij nisi ta sulmonte pasi humbi vendin e punës. Ai shtoi se, i kishte kërkuar shefit të tij të stafit, John Kelly, të përpiqej “ta zgjidhte” problemin.
Avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani tha ndërkohë se ajo mund të ketë shkelur ligjin, teksa ka regjistruar një bisedë private në Shtëpinë e Bardhë./raporton Top Channel
Manigault Newman e njihte presidentin që nga koha kur ishte pjesë e “reality show”-t, “The Apprentice”, ndërsa e këshilloi atë mbi çështjet afro-amerikane gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, përpara se të merrte edhe një rol në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Komunikimit.
Në përgjimin e transmetuar, zëri që thuhet të jetë i presidentit i thotë Manigault Newmanit se kishte lexuar në lajme faktin që “ajo po mendonte të largohej”, ndaj e pyet se çfarë kishte shkuar keq.
“Gjenerali Kelly më erdhi e më tha se administrata kërkonte që unë të largohesha”, i përgjigjet ajo.
“Jo… Askush nuk më ka thënë gjë për këtë, – reagon sërish zëri i presidentit. – Ti e di që po drejton një punë të rëndësishme, por nuk dija gjë. Nuk e dija këtë. Dreqin, nuk më pëlqen që ti të largohesh, gjithsesi”.
Njoftimi për shkarkimin e Manigault Newman u publikua më 13 dhjetor, pasi mediet amerikane kishin raportuar se ajo i kishte mërzitur kolegët. Në regjistrimin e publikuar mbi shkarkimin e saj, një person që supozohet të jetë Kelly flet për “probleme të rëndësishme integriteti” si shkak për largimin e saj, duke i përmendur asaj përdorimin e automjeteve qeveritare.
“Ka disa çështje serioze ligjore që janë shkelur prej teje, ndaj ju jeni ekspozuar ndaj veprimeve ligjore që ne shpresojmë e mendojmë se mund t’i kontrollojmë”, thotë ai në një moment të bisedës.
Ai bën edhe një propozim në fund. “Nëse e bëjmë të duket si një largim me mirëkuptimin e palëve, atëherë mund ta konsiderosh periudhën tënde njëvjeçare këtu në Shtëpinë e Bardhë si një vit shërbimi ndaj kombit, e sigurisht mund të vijosh përpara pa ndonjë vështirësi mbi reputacionin tënd”.
Por, kur Manigault Newman e pyeti nëse presidenti Trump ishte në dijeni të asaj që po ndodhte, ai devijoi diskutimin, duke i thënë se “ky ishte një diskutim i panegociueshëm, të mos merremi me gjëra të kota”.
E duke mbrojtur publikimin e bisedave, ajo tha se kishte “mbrojtur” veten “për shkak se kjo është Shtëpia e Bardhë, ku kushdo vetëm gënjen”.