“Irani i gatshëm për negociata me administratën amerikane”

Zarif tha se vendi i tij nuk ka kusht paraprak në lidhje me negociatat me SHBA-të, por sipas tij administrata e Washingtonit duhet të respektojë Teheranin

– Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, tha se vendi i tij është i gatshëm për negociata me administratën amerikane në kuadër të respektit të ndërsjellë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zarif, i cili foli për agjencinë e lajmeve japoneze Kyodo, tha se vendi i tij nuk ka kusht paraprak në lidhje me negociatat me SHBA-të, por administrata e Washingtonit duhet të respektojë Teheranin.

Ai tërhoqi vëmendjen se palët që do të ulen në tryezën e negociatave duhet të respektojnë njëri-tjetrin.

“Ne nuk kemi kushte paraprake (në negociatat me SHBA-të), por në bisedime para besimit të ndërsjellë ka nevojë për respekt të ndërsjellë”, tha ai.

Më tej, duke tërhequr vëmendjen në mekanizmin e përgatitur nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca për të mbrojtur transaksionet bankare dhe eksportet e naftës të Iranit kundrejt sanksioneve të SHBA-ve, Zarif tha se duhet të merren masa serioze deri më 4 nëntor kur do të fillojë të zbatohet paketa e dytë e sanksioneve.