Intervistoi: Arlis ALIKAJ
Rigers Mertkola është një i ri i edukuar, fit dhe që i shndrisnin sytë kur flet për futbollin. Ai është një nga talentet që vendi ynë ka në futboll, dhe që ka vendosur të jap kontribute dhe ta zhvillojë pasionin e tij në Shqipëri. I kthyer nga një angazhim futbollistik në Itali, ai flet për ndryshimet në perspektivë midis Italisë e Shqipërisë dhe sesi është të bësh futboll këtu.
– Kush është Rigersi për të gjithë ata që nuk e njohin?
– Unë kam lindur në Pogradec më 07-02-1998 . Që në moshën 5 vjeçare e kisha me shumë pasion futbollin dhe jam regjistruar në ekipin e të vegjëlve të qytetit si portier . Jam stërvitur me ekipin e futbollit të moshave në Pogradec deri në moshën 14 vjeçare. Më pas jam shpërngulur në Tiranë dhe kam vazhduar të luaj me ekipin e moshave U-15 si dhe KF. Dinamo, njëkohësisht stërvitesha dhe në Akademinë e Portierave .
– Si lindi futbolli tek ty?
– Futbolli për mua lindi si inciativë dhe dëshirë e babait tim i cili më regjistroi në ekipin e të vegjëlve dhe më mbrapa ky pasion do ishte ai që do më identifikonte mua.
– Duket se i ke rënë mirë lapsit, përveçse futbollit jeni dhe në shkollë për edukim fizik? Kush të ka suporton dhe mentoron në karrierën tënde?
– Mbështetësi kryesor ka qenë dhe është babai im. Ai ka qenë shtysa ime që unë të këmbëngulja dhe ecja përpara. Futbolli për mua është jeta ime dhe duke studiuar për Edukim Fizik, do të kem mundësinë në një të ardhme dhe kur mos merrem me të, të jem afër sportit në një mënyrë a tjetër.
– Përse është e vështirë të ecësh përpara në rrugën e futbollit në Shqipëri?
– Përsa i përket futbollit shqiptar do kisha pak rezervime tek fushat e stërvitjes të cilat janë jo shumë të favorshme. Duke parë aspektin e futbollistëve më të mirë që ka vendi ynë, ata synojnë për më lart duke u larguar nga Shqipëria, gjë kjo që sjell dhe ulje të niveleve. Do përmendja dhe anën financiare për të cilën futbollistët nuk janë shumë të motivuar.
– A mendon se talentet në futboll lindin apo bëhen?
– Do thoja që lindin me dëshirën për tu bërë futbollistë të mirë dhe e arrijnë këtë vetëm me punë intensive e duke mos u lodhur asnjëherë.
– Cili është historiku juaj në futboll?
– Unë futbollin e kam filluar në akademinë e Pogradecit (moshat e vogla). Më pas jam transferuar në Tiranë me akademinë U-15 të KF. Dinamo dhe kam vazhduar po aty deri tek U-19 ndërkohë nëpërmjet kësaj moshe kisha U-17 dhe U-19 ku stërvitesha dhe me ekipin e parë të Dinamos dhe akademinë e portierëve (individuale). Pas kësaj kohe kam qëndruar 6 muaj në Itali duke u stërvitur me ekipin e Nuoreses, seria D. Mbas shkëputjes nga Italia kam bërë kontratë me ekipin e Pogradecit për 1 vit. Pas përfundimit të kontratës kam qëndruar për një kohë të shkurtër te ekipi Vorës.
– Përse të gjithë futbollistët duan të largohen?
– Siç e përmenda dhe më lart është kënaqësi të luash në vendin tënd por mungesa e kushteve të detyron të transferohesh për më mirë në vend më të favorshme.
– Cilat kanë qënë disa nga arritjet e tua në futboll?
– Gjithë rrugëtimi im deri tani në fushën e futbollit ka qenë arritje megjithëse jo e mjaftueshme për ambiciet e mia të cilat i kam vënë qëllim vetes ti arrij në vazhdim! (buzëqesh).
– Disa momente që nuk i harron kurrë dhe disa që nuk të pëlqen ti kujtosh?
– Momentet më të këqija kanë qenë paraqitjet e mia jo të mira në fushe, për momentet më të mira do veçoja pritjet e penalltive në ndeshje të rëndësishme duke i dhënë ekipit fitoren ku stadium si për shembull ai i Elbasanit ka qenë plotë dhe të gjithë brohorisnin emrin tim.
– Ti ke luajtur/aktivizuar dhe jashtë në Itali, për kë dhe si ishte të luaje atje?
– Ekipi që luaja në Itali quhej Nuorese dhe ishte në mesin e tabelës në seria D. Futbolli Italian ishte ndryshe dhe një eksperiencë rritëse për mua sepse futbolli italian ishte ndryshe nga shkolla italiane. Ai kishte si synim përgatitjen e teknikës të portierit për prezencën në portë dhe jo forcën që isha mësuar në Shqipëri. Kushtet dhe terreni ishin mëse të përshtatshme për tu formuar si futbollist.
– Ke luajtur për Kf.Pogradecin, qytetin tuaj të lindjes, si është të luash në vendlindje?
– Të luash për ekipin e vendlindjes është gjithmonë kënaqësi dhe emocion i veçantë sidomos kur të duartrokasin tifozët vendas.
– Së fundmi ke qenë tek ekipi Vorës, diçka që mund të ndash me ne për aty?
– Tek ekipi Vorës harmonia dhe bashkëpunimi kanë qenë pothuajse perfekt. Jam ndier shumë mirë aty dhe i vlerësuar nga stafi dhe shokët. Tek Vora situata ka qenë pak keq në renditje dhe të gjitha ndeshjet i kishim finale ku kam marr pjesë në ndeshjen decizive ku kam bërë paraqitjen më të mirë të gjithë vitit. Por tek Vora ngelet për tu theksuar harmonia dhe fryma e grupit midis stafit dhe lojtarëve.
– Cilat janë prioritetet e tua për momentin?
– Si çdo futbollist prioritetet janë që të luaj në ekipet elitare por që të arrish aty ku do, duhet shumë punë dhe përkushtim. Për momentin pikësynimi im është Superliga për të qenë një trampolinë për të shkuar pse jo dhe jashtë Shqipërisë.
– Një mesazh për të gjithë ata të rinj që aspirojnë të bëhen futbollistë?
– Për të arritur majat në futboll duhet shumë punë dhe djersë sepse vetëm 2% është talent dhe pjesa tjetër 98 % është punë e stërvitje pa u lodhur e hequr dorë. (buzëqesh).