Inter nuk fal, përmbys Cagliarin dhe ngjitet në vendin e dytë

Interi harron zhgënjimin në Europë, përmbys Cagliarin në 15 minutat e fundit...

Pas dështimit në Champions, Interi është i përqendruar totalisht te kampionati, pasi sot mori fitoren e radhës, këtë herë 1-3 me përmbysje ndaj Cagliarit dhe shkoi përkohësisht -2 pikë larg Milanit kryesues.

Zhgënjimi i pësuar në “San Siro” të mërkurën në mbrëmje kishte lënë gjurmë te zikaltrit, që e kishin marrë lehtë transfertën sarde dhe kjo u pa qartë me të paktën 4 raste të pastra, të shpërdoruara nga Lukaku dy herë, Sanchez e Perisic.

E atë që nuk e bënë zikaltrit, ia doli ta bëjë Cagliari, që në kërcënimin e parë të rrezikshëm gjeti golin e avantazhit me anë të sulmuesit Ricardo Sottil, i cili mposhti Handanovic me një diagonal të saktë me të majtën.

Conte provon të ndryshojë skuadrën në pjesën e dytë dhe hedh në fushë fillimisht Hakimin e më pas Young, Sensin e Lautaron, por goli i barazimit vjen vetëm në minutën e 77’, kur Nicolo Barella u koordinua saktë dhe dërgoi në rrjetë një top të grushtuar nga portieri Cragno.

Vetëm 7 minuta më vonë D’Ambrossio merr vendin e Hakimit të dëmtuar dhe topin e parë që prek, e dërgon në rrjetë, pasi krosimi i Barellës ishte perfekt në shtyllën e dytë dhe mbrojtësi italian nuk ngurroi të shënojë e t’u japë avantazhin zikaltërve.

Cagliari provoi të reagojë dhe në një këndore në minutat shtesë, në zonën e Interit shkoi edhe portieri Alessio Cragno, por më pas kundërsulmi foli për zikaltrit, me Lukakun që mori topin në gjysmëfushën e tij, dribloi edhe portierin e shkoi I qetë me portën e boshatisur, ku shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur suksesin e Interit.