Inteligjenca amerikane: Zyrtarët sauditë thurrën plan për kapjen e Khashoggi-t

Inteligjenca amerikane ka arritur deri tek të dhënat sipas të cilave zyrtarët sauditë kanë thurrur plan për kapjen e e gazetarit Khashoggi

 Inteligjenca amerikane ka arritur deri tek të dhënat sipas së cilave zyrtarët saudit kanë thurrur plan për kapjen e gazetarit të “The Washington Post” Jamal Khashoggi, të cilit nga 2 tetori i janë humbur të gjitha gjurmët, raporton Anadolu Agency (AA).

E përditshmja “Washington Post” duke u thirrur në burime të inteligjencës amerikane ka publikuar se zyrtarët sauditë kanë thurrur plan për të mashtruar gazetarin Khashoggi dhe për ta sjellë atë në territorin e Arabisë Saudite.

Nuk është e njohur nëse zyrtarët sauditë Khashoggi-n kanë dashur ta kapin të gjallë për ta marrë në pyetje apo ta vrasin, dhe as fakti nëse zyrtarët amerikanë e kanë informuar rreth kësaj Khashoggi-n i cili është shtetas i Arabisë Saudite.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” Khashoggi u zhduk më 2 tetor pasi kishte hyrë në kompleksin e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Ai ishte i njohur si kritikues i politikave të Qeverisë aktuale të Arabisë Saudite.

Turqia ka ngritur hetime për zhdukjen e tij ndërsa gazetari i Reutersit më herët ka raportuar se Khashoggi është vrarë në konsullatë pasi që kishte kaluar disa ditë si peng. Të njëtjtat pretendime i publikuan edhe Asociacioni i mediave turke dhe arabe, të cilat thonë se posedojnë fakte.

Konsullata e Arabisë Saudite dy ditë më parë përmes Twitterit lëshoi një mesazh ku hodhi poshtë pretendimet për vrasjen e gazetarit në kompleksin e konsullatës.