INSTAT, zvogëlohet pesha e kompanive të huaja në Shqipëri

Pesha e bizneseve të huaja në ekonominë shqiptare pësoi rënie gjatë vitit të kaluar. Sipas Instat, për vitin 2018, bizneset e huaja realizuan pak më shumë se një të katërtën e qarkullimit total në ekonomi, ndërkohë që një vit më parë kishin më shumë se 30% të tregut.

Ulja e pjesës së ndërmarrjeve të huaja duket qartë edhe në treguesit e punësimit dhe të investimeve. Vitin e kaluar, ndërmarrjet e huaja kishin 15.6% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, nga 18.7% një vit më parë. Ndërsa pesha ndaj investimeve totale zbriti në 25%, nga 30.4% në vitin 2017.

Sipaërmarrja e huaj është tkurrur edhe si numër ndërmarrjesh. Sipas Instat, numri total i ndërmarrjeve me kapital të huaj ose të përbashkët vitin e kaluar ra në 6259, 0.6% më pak krahasuar me vitin 2017. Numri i bizneseve të huaja ka rënë sidomos në segmentin e biznesit të madh.

Nëse në vitin 2017 numëroheshin 329 ndërmarrje të huaja me më shumë se 50 punonjës, vitin e kaluar ky numër ra në 256. Mes bizneseve të huaja, vazhdojnë të dominjnë ato me aksionerë italianë dhe grekë, që së bashku përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë numrit të ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare.

Megjithëse në vitet e fundit investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike, sërish pesha e kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare po bie.

Kjo kontradiktë mund të shpjegohet me faktin se volume e mëdha të investimeve të huaja direkte janë të përqendruara në një numër relativisht të ngushtë sektorësh ekonomikë, madhe ndërmarrjesh të veçanta. Këto të dhëna konfirmojnë tendencën e ristrukturimit të ekonomisë shqiptare, ku kapitali vendas po fiton më shumë terren.

Kjo tendencë është e dukshme në sektorë strategjikë, si ai bankar apo zhvillimi i infrastrukturës, përmes projekteve të partneritetit publik-privat. /SCAN