INSTAT: Rritja 4.5% në ekonomi, ndikon eksporti i energjisë

Ekonomia shqiptare shënoi në tremujorin e parë të këtij viti rritjen më të lartë në më shumë se 7 vjet e nxitur nga rritja rekord e prodhimit të energjisë dhe industria përpunuese.

Ekonomia shqiptare shënoi në tremujorin e parë të këtij viti rritjen më të lartë në më shumë se 7 vjet e nxitur nga rritja rekord e prodhimit të energjisë dhe industria përpunuese.

Instituti i statistikave raportoi se për periudhën janar mars të këtij viti prodhimi kombëtar u zgjerua me 4.45%krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tre vitet e fundit rritja ekonomike e Shqipërisë është udhëhequr kryesisht nga ndërtimi. Por në tremujorin e parë të këtij viti struktura e rritjes ka ndryshuar. Pas energjisë dy degët e tjera me kontributin më të madh ishin grupi tregti hotele dhe sektori bujqësor.

Nga krahu i kërkesës rritja e ekonomisë është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 3.83%. Për këtë vit, FMN dhe Banka Botërore parashikojnë një rritje më të ulët rreth 3.6%, një parashikim që të paktën në tremujorin e parë është përmbysur.

Hoteleria dhe shërbimi ushqimor janë grupi i dytë më i madh që kanë peshën kryesore në rritjen ekonomike, ndërsa dega e ndërtimit, në ndryshim me disa tremujorë më parë ka patur një rritje modeste në nivelin 2.1%.

Vlerë të shtuar në ekonomi kanë sjellë edhe aktivitetet shkencore dhe artistike, ndërsa komunikacioni dhe aktivitet financiare janë në rënie krahasuar me një vit më parë.