INSTAT: Rriten aksidentet rrugore dhe viktimat, më shumë aksidente nga këmbësorët

Shtatëmujori i vitit 2021 ka shënuar një rritje me 23.6% të numrit të aksidenteve rrugore në vend, në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Sipas të dhënave nga INSTAT për periduhën janar-korrik të këtij viti janë regjistruar në total 785 aksidenteve rrugore, nga 635 të ndodhur në shtatëmujorin e parë të vitit 2020. Ndërkaq, gjatë muajit korrik u shënua një ulje me 12.3% e aksidenteve, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Megjithatë, numri i të vrarëve dhe të plagosurve gjatë këtij muaji është më i lartë se ai i vitit të kaluar. Sipas INSTAT, në muajin Korrik 2021, numri i të aksidentuarve është 175 persona nga 168 që ishte  në të njëjtën muaj të një viti më parë. Edhe për shtatëmujorin numri i këtyre personave është më i lartë në raport me një vit më parë, duke qenë se numërohen 1,050 persona të aksidentuar, nga 824 persona në shtatëmujorin e vitit 2020.

Edhe numri i të vdekurve si pasojë e aksidenteve rrugore është më i lartë për 7 muajt e parë të vitit 2021, duke u numëruar 118 viktima, nga 88 që u shënuan në periudhën janar-korrik të vitit që lamë pas. Sjellja e drejtuesit të mjetit, sipas INSTAT është shkaku kryesor në drejtim të aksidenteve rrugore. Ndërkohë që, vihet re një rritje e ndjeshme e aksidenteve për shkak të sjelljes së këmbësorëve.

Sipas shifarve zyrtare,  në shtatëmujorin e 2021, aksidentet rrugore, në 15,7 % të rasteve, kanë ndodhur pikërisht si pasojë e sjelljes së  këmbësorit, duke u rritur me  20,6 %, krahasuar me një vit më parë./scan