Igor Ivanov: Rusia dhe Turqia përparojnë së bashku për zgjidhjen në Siri

"Përveç rëndësisë dhe vështirësisë së çështjes së Sirisë nuk duhet të harrohet se ky nuk është i vetmi problem në rajon. Konflikte të thella ka në të gjithë rajonin dhe jo vetëm në Siri", tha Ivanov

Ish-ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov, ka deklaruar se Rusia dhe Turqia duke patur parasysh interesat e të gjitha palëve të përfshira në çështjen e Sirisë po përparojnë drejt një zgjidhjeje paqësore.

Ivanov në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka folur lidhur me përpjekjet e përbashkëta që Rusia dhe Turqia kanë treguar për zgjidhjen e çështjes së Sirisë.

Pasi ka nënvizuar se politikat e Rusisë dhe Turqisë në çështjen e Sirisë janë në drejtim të një zgjidhjeje paqësore, Ivanov ka tërhequr vëmendjen se në zgjdhjen e çështjes të dyja shtetet kanë parasysh interesat kombëtare afatgjata të palëve.

Ai ka theksuar se politikat e ndjekura do të sjellin stabilitet jo vetëm në Siri por në të gjithë Lindjen e Mesme. “Dukuria më dalluese e qasjes ruso-turke është se duke marrë në konsideratë interesat e të gjithë aktorëve, ato parandalojnë gjakderdhjen në Siri dhe përparojnë seriozisht drejt një zgjidhjeje paqësore”, thotë Ivanov.

Sipas tij, çështja e Sirisë mund të zgjidhet me lehtësi nëse vendet e rajonit dhe shtetet e tjera ndjekin këtë qasje shembullore që kanë treguar Rusia dhe Turqia. Ivanov më tej ka shtuar se në këtë mënyrë çështja e Sirisë përbën një element të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme.

“Përveç rëndësisë dhe vështirësisë së çështjes së Sirisë nuk duhet të harrohet se ky nuk është i vetmi problem në rajon. Konflikte të thella ka në të gjithë rajonin dhe jo vetëm në Siri. Çështja e Sirisë është ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje. Derisa zgjidhim problemet në Siri, ne jemi të detyruar të mendojmë se kjo është vetëm një pjesë e problemeve në rajon. Ky problem duhet të zgjidhet në kuptimin rajonal”, tha Ivanov.

Ai thekson se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme Rusia dhe Turqia kanë vërtetuar se është e mundur arritja e zgjidhjes së konflikteve. “Rusia dhe Turqia, përkundër të gjitha dallimeve kanë treguar se mund të arrihen rezultate serioze në një kohë kaq të shkurtër, kur bëhet fjalë për interesat e larta të të dy vendeve dhe nëse ekziston vullneti politik i udhëheqësve të të dy vendeve. Dhe, këto nuk janë vetëm në diskurset politike, por ato tregohen edhe në praktikë”, tha ish-ministri i Jashtëm rus.

Pasi tërhoqi vëmendjen se bashkëpunimi në Siri ka zgjeruar bashkëpunimin e Rusisë me Turqinë edhe në fushat e tjera, Ivanov thotë se vazhdimi i këtij procesi është i rëndësishëm.