Identifikohet një ushtar amerikan nga mbetjet mortore të Luftës Koreane

Është identifikuar vetëm një ushtar amerikan në mbetjet mortore të cilat Koreja e Veriut ia ktheu SHBA-së

Është identifikuar vetëm një ushtar amerikan në mbetjet mortore të cilat Koreja e Veriut ia ktheu SHBA-së që ka të bëjë me ushtarët që humbën jetën gjatë Luftës Koreane mes viteve 1950-1953, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një zyrtar në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, tha se është identifikuar vetëm një ushtar në arkivolet ku janë vendosur mbetjet mortore të 55 ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën gjatë Luftës Koreane, të cilat Koreja e Veriut ia ktheu SHBA-ve.

Ai tha se nuk ka ndonjë informacion që mund të ndihmojë në përcaktimin e identitetit të ushtarëve.

Mbetjet mortore të ushtarëve që kanë humbur jetën në Luftën Koreane do të ekzaminohen në një laborator ushtarak në Hawaii.

Ndërkohë në Komandën e Kombeve të Bashkuara (UNC) në Korenë e Jugut u organizua një ceremoni përkujtimore për ushtarët, mbetjet mortore të të cilëve u kthyen.

SHBA muajin e kaluar dërgoi në kufirin verikorean arkivole, numri i të cilëve ishte planifikuar të jetë 215, për kthimin e mbetjeve mortore të ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën gjatë Luftës Koreane mes viteve 1950-1953.

Kthimi i mbetjeve mortore të ushtarëve amerikanë vjen pas marrëveshjes së arritur në këtë drejtim në Samitin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un që u mbajt muajin e kaluar në Singapor.