Ibrahim Kalın: Populli turk e tha fjalën e tij

"Adam Schiff, presidenti Erdoğan nuk ka nevojë për urimet e tua. Populli turk e tha fjalën e tij. Ajo që duhet të bësh është të mbyllësh gojën", tha Kalın

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se “Populli turk e tha fjalën e tij” duke reaguar ndaj anëtarit të Dhomës së përfaqësuesve të SHBA-ve, Adam Schiff i cili ka kritikuar urimet për suksesin e zgjedhjeve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Schiff nga Partia Demokratike, i cili përfaqëson Kaliforninë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve, në llogarinë e tij në Twitter ka postuar një mesazh me akuza të rënda, pasi ndaj presidentit Erdoğan në lidhje me suksesin në zgjedhje kanë ardhur mesazhe të shumta urimi nga e gjithë bota.

“Erdoğan ‘fitoi‘ nëpërmjet arrestimeve ndaj opozitës, dhunës dhe kufizimeve të lirisë së shtypit. Rrëshqitja e Turqisë në autokraci është një tjetër përkujtues se demokracia është nën sulm në mbarë botën”, ka thënë Schiff në mesazhin e tij.

Ndërsa zëdhënësi Kalın në përgjigje të mesazhit të Schiff ka reaguar duke theksuar se “Adam Schiff, presidenti Erdoğan nuk ka nevojë për urimet e tua. Populli turk e tha fjalën e tij. Ajo që duhet të bësh është të mbyllësh gojën”.